Ndërlidhjet

Festa e 2 Gushtit, anashkalohen shqiptarët


Shkup
Shkup
Opozita shqiptare dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë kanë akuzuar Qeverinë për vazhdimin e, siç thuhet, diskriminimit në baza etnike edhe gjatë shënimit të datave të rëndësishme historike për çlirimin e vendit nga Perandoria Osmane.

Maqedonia sot shënon 2 gushtin e vitit 1903, Ditën e Kryengritjes së Ilindenit dhe formimin e Republikës së Krushevës. Qeveria ka organizuar më shumë se 600 autobusë për në Krushevë, por asnjëri prej tyre nuk do të niset nga vendbanimet shqiptare.

Të gjitha parakalimet dhe organizimet tjera në këtë qytet karakterizohen me ikonografi dhe veshje kombëtare maqedonase.

Kjo, sipas historianit Skënder Hasani, është në kundërshtim me realitetin e para 107 vjetëve. Ai ka thënë se është për të ardhur keq anashkalimi i shqiptarëve, kur dihet fakti se shqiptarët kishin marrë pjesë aktivisht në kryengritje, sikur edhe në të gjitha organet e Republikës së Krushevës, duke pasur një përfaqësim krejt të barabartë me maqedonasit dhe vllehët.

“Pushteti, në atë kohë, në organet e përkohshme të Republikës së Krushevës, ishte i ndarë në mënyrë proporcionale: 20 shqiptarë, 20 maqedonas dhe 20 vllehë, dhe në Këshillin e Përgjithshëm: 2 shqiptarë, 2 maqedonas dhe 2 vllehë”, ka shpjeguar Hasani.

Gjithashtu, ka reaguar edhe partia opozitare, Demokracia e Re, duke theksuar se tendencat e Qeverisë aktuale për përvetësimin e së kaluarës historike të këtij shteti nga ana e partisë së kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, janë shumë të dëmshme për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

“Ky është edhe një skandal i radhës, pasi kjo qeveri përfundimisht dëshiron t'i përvetësojë të gjitha projektet, gjithë historinë vetëm mbi etnitetin maqedonas. Kjo është një lojë mjaft e rrezikshme, e cila përfundimisht nuk shkon në favor të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni”, ka deklaruar zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë, Skënder Hasani, ka thënë se, sikur qarqet politike maqedonase të zbatonin në praktikë realitetin historik, siç ishin edhe zhvillimet në Republikën e Krushevës, Maqedonia tashmë do të ishte pjesë e strukturave euroatlantike dhe as që do të kishte trazira apo konflikte, siç ishte ai i vitit 2010.

“Për fat të keq, në vitin 1991, me shpalljen e pavarësisë, estabilishmenti i politikës maqedonase krijoi shtetin etnik maqedonas, që shkaktoi konflikte permanente - që kulminuan me konfliktin e vitit 2001. Sikur në këtë kohë Maqedonia të ishte bazuar në vendimet e Republikës së Krushevës të vitit 1903, qysh në vitet '90 do të ishte anëtarësuar në strukturat euroatlantike”, ka theksuar Hasani.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Martin Martinovski, ka shprehur bindjen se në manifestimet në Krushevë do të këtë edhe përfaqësues të bashkësive etnike.

Sa i përket dërgimit të autobusëve vetëm në zonat e banuara me maqedonas, Martinovski ka thënë se ka një rrjet të gjerë të shpërndarjes së tyre, por nuk ka dhënë përgjigje se si është e mundur që, për shembull, në Komunën e Zajazit në Kërçovë, të banuar me mbi 99 për qind shqiptarë, është dërguar një autobus, edhe atë në fshatin e vetëm me maqedonas, i cili ka jo më shumë se 30 banorë.
XS
SM
MD
LG