Ndërlidhjet

Zemërimi në rritje i 1.5 milionë viktimave

  • RFE /RL

Pakistan, 1 gusht 2010

Pakistan, 1 gusht 2010

Autoritetet pakistaneze po zhvillojnë një betejë të ashpër e këtë rradhë jo me militantët, por me pasojat e natyrës.

Nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut mbi 1100 persona kanë humbur jetën. Ndonëse shirat e dendur kanë pushuar, mbi 1.5 milionë njerëz janë të zhytur në mjerim, derisa qeveria njofton se janë shfaqur një morri rastesh me kolerë.

Pjesa veriperëndimore e Pakistanit është prekur nga përmbytjet më të këqija që nga shpallja e pavarësisë më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Numri i viktimave pritet të rritet në kohën kur ekipet e shpëtimit po përpiqen të ndihmojnë mijëra njerëz të mbetur pa asnjë ndihmë në mes të zonave të katastrofës.

Të mbijetuarit janë vendosur në strehimore të papërshtatshme pasi fshatra të tëra janë mbuluar e shkatërruar nga ujërat. Banorët e zonave të prekura janë të zemëruar me qeverinë për shkak të mungesës së efikasitetit. Një nga të mbijetuarat në një prej kampeve të ngritura në Peshauar thotë se familja e saj ka mbetur pa asnjë veshje.

“Vij nga Xhaba, një prej fshatrave më të prekura nga përmbytjet. Kemi humbur gjithçka. Nuk mundëm të shpëtonim asgjë. Nuk kemi as këpucë, madje as për fëmijët që kanë mbetur lakuriq. Kur fëmijët qajnë për bukë ata që drejtojnë kampin thonë prisni deri sa të vijë ora. Ne kërkojmë vetëm këpucë dhe rroba”, thotë një banore e fshatit Xhaba.

Mediat raportojnë se autoritetet kanë dërguar mijëra ushtarë dhe punonjës civilë për operacionet e shpëtimit, por shkalla e dëmeve është kaq e madhe sa që i bën përpjekjet e qeverisë të pamjaftueshme.

Të mbjellat, janë shkatërruar, gjëja e gjallë është mbytur derisa nuk ka mbetur gjë nga rrugët, shtëpitë dhe urat e gjithë zonës.

Një tjetër zile alarmi është dëgjuar nga Mian Ifktar Husain, ministër rajonal i informacionit, kur ka njoftuar për shpërthime të kolerës në disa zona. Rreziku është konfirmuar dhe nga Shaharar Bangash punonjës i World Vision, organizatë humanitare, i cili ka deklaruar se tani ekziston rreziku real nga përhapja e sëmundjeve që janë të lidhura me ujin e ndotur, si kolera, diarreja, astma dhe alergjitë e ndryshme.

Një nga zonat më të prekura është dhe ajo e luginës së Suatit, ku jeta normale është ndërprerë muaj përpara vërshimeve. Kjo zonë ka qenë rajon i luftimeve të ashpra mes ushtrisë pakistaneze dhe militantëve islamike, përfshi talibanët.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban ki Mun tha se është thellësisht i prekur nga tragjedia që ka goditur Pakistanin dhe premtoi deri në 10 milionë dollarë ndihma për popullatën civile.

Në Peshauar, konsullja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Elizabeth Rod tha se kanë arritur pakot e para me ushqime tek njerëzit në nevojë.

“Sot, përmes ndihmës së ushtrisë amerikane kemi dërguar 62 mijë racione ushqimore të përgatitura sipas traditës islame. Bëhet fjalë për vakte të gatshme që mund të konsumohen menjëherë. Sasira më të mëdha ushqimi janë në rrugë e sipër”, tha Rod.

Ambasada amerikane në Islamabad po bashkrendon operacionet e ndihmës ku janë përfshirë helikopterë, anije dhe ura të lëvizshme. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar prej disa ditësh në zonat e goditura edhe pastrues të ujit.

Përveç ndihmave qeveria amerikane ka ofruar dhe 10 milionë dollarë ndihmë për qeverinë pakistaneze që të përballojë krizën. Shteteve të Bashkuara iu janë bashkangjitur edhe Kanadaja e Kina në operacionet humanitare. (i.b.)
XS
SM
MD
LG