Ndërlidhjet

logo-print

Guvernatorit i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, nuk do të mund të shkarkohet nga ky post që ka mbajtur para se të arrestohej nga policia e EULEX-it edhe për një muaj, pasi që Kuvendi i Kosovës, i cili duhet të bëjë propozimin për shkarkim të tij, gjendet në pushim vjetor.

Kjo çështje, sipas ekspertëve, po e rrezikon sistemin bankar në Kosovë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dritan Tali, njëherësh edhe ekspert i ekonomisë, thotë se shkarkimi i guvernatorit ka mundur të bëhet menjëherë pas arrestimit nga policia e EULEX-it, por ky proces, sipas tij, është neglizhuar.

“Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet për ta shkarkuar. Kuvendi tash ka shkuar në pushim; është çështje e procedurave ose çështje e rastësisë, shkarkimi i tij është dashur të bëhet më herët. Mbi të gjitha, nuk është dashur që ai të vinte fare në këtë post, pasi që edhe akuzat e rëndojnë për vitin 2006
”, thotë Tali.

Guvernatori Hashim Rexhepi, në këtë post ka qenë i propozuar nga Qeveria e Kosovës dhe emëruar nga Kuvendi. Por, me Kushtetutën e re, tash guvernatorin e BQK-së e emëron dhe e shkarkon presidenti.

Edhe ky veprim pason propozimin e Kuvendit, qoftë për shkarkim apo emërim.

Sidoqoftë, guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, është arrestuar nën dyshimin për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje parash.

Ndërsa, për mosardhjen deri te rrezikimi i sistemit bankar si dhe mosprishjes së imazhit të ekonomisë kosovare jashtë vendit, ekspertët e ekonomisë thonë se duhet të merren hapa konkretë nga institucionet përgjegjëse.

Po ashtu, ata alarmojnë për sigurinë e mjeteve, të cilat gjende në Bankën Qendrore të Kosovës. Më shumë hollësi jep eksperti i ekonomisë Lumir Abdigjiku:

“Qytetarët e Kosovës aktualisht nuk duhet të humbin besimin që kanë te bankat komerciale. Po, një pritje të tillë nuk duhet ta kenë te sistemi qendror bankar në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë për të gjitha ato para që kanë qenë në dispozicion të BQK-së”.

Pamje gjatë arrestimit të guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, 23 korrik 2010 Prishtinë


“Nuk duhet harruar se BQK-ja ka qenë garantues i shumë fondeve, përfshirë këtu Fondin e Privatizimit dhe parave të suficitit të buxhetit të Kosovës”.


Edhe eksperti për çështje financiare, Xhemshit Duriqi, shpreh mendimin se situata e krijuar do të ndikojë shumë keq në imazhin ekonomik të Kosovës jashtë vendit. Ndërkaq e quan absurd mosveprimin e institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Burgosja e guvernatorit Rexhepi, respektivisht afera korruptive, do të ndikojë në sistemin bankar të Kosovës, e po ashtu edhe te klientët do të ketë pasoja”, shprehet Duriqi.

Sidoqoftë arrestimi i guvernatorit në një vend me politikë monetare ishte një goditje e rëndë në sistemin ekonomik të vendit dhe në sistemin bankar, por fatmirësisht Banka Qendrore e Kosovës, në këtë rast, nuk ka ndonjë politikë monetare dhe pasojat janë më të vogla.

Ndërkohë, Bordi drejtues i Bankës Qendrore të Kosovës i ka kërkuar presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Kosovës, që të iniciojë shkarkimin e Rexhepit. Ndërkaq bordi i BQK-së, si ushtrues detyre, ka emëruar Gani Gërgurin zëvendësguvernator për funksione bankare.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG