Ndërlidhjet

Lëvizje taktike në KS


Këshilli i Sigurimit (Foto nga arkivi)
Këshilli i Sigurimit (Foto nga arkivi)

Takimi i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me kërkesën e Rusisë, që pritet të mbahet sot, është vetëm një lëvizje taktike para sesionit të 64-të, të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë analistë të çështjeve politike në Kosovë.

Analisti Shkëlzen Maliqi pret që në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit, Serbia ta kundërshtojë mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Por, sipas tij, qëndrimi i Serbisë do të përballet me kundërshtimin e tre anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca.

Shkëlzen Maliqi


“Pas vendimit të GJND-së, është interesante se çfarë do të dalë nga kjo mbledhje. Një faktor është se në muajin shtator është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe për atje, ndoshta kjo është njëfarë lëvizje taktike dhe një parapërgatitje për atë, si dhe matja e forcave se cila prej rezolutave do të paraqitet atje dhe kështu me radhë. Do të thotë, është një ngjarje më shumë taktike, sesa esenciale dhe nuk duhet të brengosemi shumë për këtë”
, thotë Maliqi.


Ndërkaq, analisti Naim Rashiti, hulumtues në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, vlerëson se Serbia po përpiqet ta përmirësojë pozicionin e saj të dëmtuar, pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përmes aleatëve të saj në Këshillin e Sigurimit.
...të vetmen mundësi që Serbia po përpiqet ta përdorë, përmes miqve të saj, është që ta frikësojë botën nga një opinion i tillë i ngushtë i Gjykatës Ndërkombëtare...


“Me këtë rast, të vetmen mundësi që Serbia po përpiqet ta përdorë, përmes miqve të saj, është që ta frikësojë botën nga një opinion i tillë i ngushtë i Gjykatës Ndërkombëtare, se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se, po aq më shumë, nuk është në kundërshtim me rezolutën 12 44”.

“Prandaj, elementi i vetëm në dorën e Serbisë dhe shteteve mike (të saj), konkretisht Rusisë, argumenti i vetëm, është që ta përdorin kundër, se secesionizmi i njëanshëm ende qenka i mundshëm”,
shprehet Rashiti.

Ndryshe, të dy këta analistë shprehin mendimin se edhe pas takimit të Këshillit të Sigurimit, politikat destruktive të Serbisë ndaj Kosovës do të vazhdojnë dhe se ajo do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë në këtë drejtim.

Vazhdimësi të politikave destruktive, analisti Maliqi e quan edhe propozimin e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq.

“Ky është në të vërtetë propozimi i maskuar për ndarjen etnike të Kosovës, kinse tash Serbia iu ofron shqiptarëve të Kosovës që të deklarohen për nivelin e autonomisë, prej 1 deri në 100. Domethënë, 100 do të thotë pavarësia”.

“Por, e kërkon këtë të drejtë edhe për serbët e Kosovës. Besoj se ata tash përpëliten ose bëjnë manovrat e fundit që të nxjerrin diçka, kryesisht koncesione territoriale ose të vazhdohet procesi i negociatave. Mendoj se kjo do të kundërshtohet edhe nga Kosova edhe nga faktorët relevant ndërkombëtarë”
, thekson Maliqi.

Por, analisti Rashiti, nuk pret ndonjë zhvillim esencial deri pas sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Realisht, nuk do të ndodhë asgjë, deri pas përfundimit të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme (të OKB-së), ose aprovimit apo jo të rezolutës serbe. Dhe, të gjithë faktorët do të jenë të kujdesshëm, sidomos Serbia dhe Rusia, që të mos bëjnë ndonjë veprim që do t’i iritonte shtetet tjera”.

“E gjithë lufta është duke u bërë për neutralizimin ose marrjen ‘pro’ të 51 votave në Asamblenë e Përgjithshme. Për këtë, grupi prej 69 shteteve që e kanë njohur Kosovën, po bën shumë që këto 51 vende të abstenojnë. Ndërsa, pas Asamblesë së Përgjithshme, debati kryesisht do të jetë rreth shtetësisë së Kosovës”,
përfundon Rashiti.
XS
SM
MD
LG