Ndërlidhjet

Beteja me strukturat paralele


Mitrovicë
Mitrovicë

Qeveria në Beograd nuk po tregon ndonjë shenjë që do të ndryshojë politikën e saj për sa i përket pjesëmarrjes të komunitetit serb në institucionet politike të Kosovës, thuhet në raportin e fundit të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave-KIPRED

Në raport theksohet se politika në fjalë do të shkaktojë ndeshje të pashmangshme me politikat dhe pushtetin e autoriteteve të reja të zgjedhura komunale, gjë që thuhet se do të shkaktojë trazira politike e sociale.

Drejtori për hulumtime në KIPRED, Krenar Gashi, thotë se deri në fund të këtij viti mund të pritet një betejë ndërmjet strukturave udhëheqësve të komunave të reja me shumicë serbe të dala nga zgjedhjet e fundit lokale dhe strukturave paralele serbe të financuara nga Serbia.

Krenar Gashi

“Periudha kohore, në të cilën po hyjmë tash do të jetë qenësore, sepse do të kemi një betejë në mes të qeverisjes së zgjedhur në mënyrë të ligjshme në zgjedhjet e Kosovës dhe atyre paralele, sidomos në fushën e arsimit dhe në fushën e shëndetësisë, kur kemi parasysh se as mjekët e as arsimtarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e sistemit të pagave të Kosovës”
, thotë Gashi.

Decentralizimi, sipas raportit, po tregohet të jetë mjeti më i suksesshëm për ta ruajtur e zhvilluar karakterin multi-etnik të shtetit, megjithatë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës thuhet se ka qenë vetëm një sukses preliminar dhe se autoritetet kosovare duhet të vazhdojnë në përfundimin e decentralizimit, duke përmirësuar pushtetin e vet të deleguar e të zgjeruar të komunave.

Sidoqoftë, raporti i cili ka analizuar funksionimin e komunave tashmë ekzistuese me shumicë serbe, nuk ka trajtuar sfidat që ndërlidhen me krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës.

Gashi thekson se gjërat në veri dhe dinamika e zhvillimeve atje kanë ndryshuar që nga prezantimi i mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe se tani mbetet të shihet nëse Qeveria e Kosovës do të insistojë në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut.

“Ende është herët të flasim për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut, sidomos tash kur pas shpalljes së mendimit të GJND-së, kemi gjithfarë deklaratash, qoftë nga Bashkësia Ndërkombëtare-sidomos nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Beogradi zyrtar”
, thekson Gashi.

Nga procesi i decentralizimit në Kosovë është formuar komuna e re e Graçanicës, ajo e Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe është bërë zgjerimi i komunës së Novobërdës.

Krijimi i komunës së re të Mitrovicës së Veriut, ndërkaq, është shtyrë për një afat të pacaktuar kohor për shkak të, siç thuhet, nevojës për krijimin e kushteve që do të mundësonin mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale në atë pjesë të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, shpreh bindjen se me fuqizimin e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë, në veri do të krijohet ambienti i përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat do të çonin në krijimin e strukturave komunale të komunës së re të Mitrovicës së Veriut, të komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut.

Sadri Ferati

“Do të dëshironim dhe jemi të gatshëm që brenda këtij viti të shpallim zgjedhje dhe të mbajmë zgjedhje, mirëpo nëse nuk është krijuar ambienti, nuk do të ngutemi, por do ta bëjmë atëherë kur të krijohen mundësitë”.

“Se a do të jetë kjo brenda tre muajve apo më tepër, është më pak e rëndësishme. Është e rëndësishme që ne po punojmë që edhe atje të implementojmë një proces të suksesshëm sikurse në pjesët e tjera të Kosovës”
, thotë ministri Ferati.



Tutje, ministri Ferati shton se u mbetet qytetarëve serbë që, me kalimin e kohës, të shohin interesin e tyre tek institucionet kosovare dhe të heqin dorë nga strukturat paralele dhe mjetet financiare të Beogradit zyrtar.

Integrimi i pjesës veriore në sistemin shtetëror të Kosovës është qëllimi kryesor i strategjisë së hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare - dokument ky, i cili është mirëpritur nga një pjesë e Bashkësisë Ndërkombëtare, ndërsa është cilësuar si strategji e dështuar nga disa analistë vendorë e ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG