Ndërlidhjet

Kosor: “Stuhia” – fitore kundër politikës serbomadhe të Millosheviqit


Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, deklaroi sot, me rastin e 15 vjetorit të ofensivës “Stuhia”, se me këtë aksion është arritur fitore përfundimtare kundër politikës serbomadhe të Millosheviqit.

“Ky është fakt historik dhe ne në Kroaci nuk do të lejojmë, që faktet historike të rishqyrtohen, në cilindo aspekt, e veçanërisht për aksionet e tilla, të cilat shënuan çlirimin final të Kroacisë”, tha Jadranka Kosor.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se operacioni “Stuhia” ishte krim, i cili nuk guxon të harrohet, Jadranka Kosor vlerësoi se “kjo nuk është asgjë e re dhe diçka që është parë”.

Në Kroaci, 5 gushti është festë shtetërore, që shënohet si Dita e Fitores dhe e falënderimit për operacionin “Stuhia”, me të cilin nën administrimin kroat janë kthyer pjesët e fundit të territorit të Kroacisë, që mbaheshin nga njësitë ushtarake serbe.
XS
SM
MD
LG