Ndërlidhjet

Pakistan: Qeveria kërkon përshpejtimin e ndihmave


Qeveria e Pakistanit ka mbajtur mbledhje urgjente për vërshimet në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, derisa njerëzit ballafaqohen me përkeqësim e gjendjes humanitare.

Kryeministri Jusuf Raza Gilani ka kërkuar nga ministrat përshpejtimin e ndihmave dhe vlerësimin e dëmeve.

Punonjësit humanitarë të Kombeve të Bashkuara thonë se vërshimet më të mëdha për vite të tëra në Pakistan, kanë prekur më se 3 milionë njerëz, ndërsa nga to kanë vdekur 1400 vetë. Mendohet se 1 milion njerëz janë zhvendosur.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka shpallur se Uashingtoni do të ndihmoj me 10 milionë dollarë.

“Shtetet e Bashkuara po i përgjigjen krizës në disa mënyra. Ne menjëherë i kemi ndarë 10 milionë dollarë për ndihma, ekspertët e ndihmave humanitare janë vendosur në terren, helikopterët amerikanë tashmë i kanë bartur qindra njerëz jashtë rrezikut dhe kanë dërguar furnizime kritike, përfshirë edhe qindra mijëra ushqime Halal”, tha Hillari Klinton, në Uashington.

Ushtria e Pakistanit ka njoftuar se operacioni për shpëtimin e komuniteteve, që ishin të izoluara nga vërshimet, “pothuajse është kompletuar”.
XS
SM
MD
LG