Ndërlidhjet

logo-print

Gjykimi për diamantët


Naomi Campbell

Naomi Campbell



Supermodelja britanike, Naomi Campbell, tha se asaj i janë dhënë disa “gurë të papastruar”, nga ish-presidenti i Liberisë, Charles Taylor, gjatë një darke të organizuar nga vetë ai.

Zoti Taylor po gjykohet për krime lufte në Hagë. Campbell ka thënë në gjykimin e tij se asaj i është thënë më vonë se gurët ishin diamante dhe dhuratë nga vetë Taylori.

Modelja u mor në pyetje për shkak të pohimeve se Taylor i ka dhënë asaj diamante të papërpunuara pas një darke në Afrikën e Jugut, më 1997. Nëse vërtetohen këto pohime, prokurorët thonë se me këtë do të dëshmohet se Taylor ka përpunuar diamante, për të cilat supozohet se janë shfrytëzuar për blerjen e armatimit për rebelët në Sierra Leonen fqinje.

Ish-presidenti Taylor po përballet me 11 akuza për krime lufte gjatë konfliktit në Liberi dhe Sierra Leone, me ç’rast qenë vrarë më shumë se 250 mijë njerëz.

Campbell e filloi dëshminë e saj duke u betuar mbi Biblën.

“Betohem solemnisht mbi Biblën, se do të flas të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër pos të vërtetën”
, tha zonja Campbell.

Pas një darke, në të cilën kishin marrë pjesë Campbell dhe Taylor në shtëpinë e presidentit Mandela në Afrikën e Jugut, Campbell tha se është zgjuar nga një e trokitur në derë. Kur e kishte hapur derën, dy persona i kishin dorëzuar asaj një qeskë.

“Unë pashë disa gurë aty. Dhe, ata ishin shumë të vegjël dhe të papastruar”
, tha zonja Campbell, duke nënvizuar se nuk e kishte ditur në fillim se gurët ishin diamante.

Sipas saj, të nesërmen në mëngjes, dikush i kishte thënë asaj se gurët mbase ishin diamante të përgjakura dhe kjo është arsyeja pse gurët ia ka dhënë një miku për t’i dhuruar për bamirësi.

Zonja Campbell gjithashtu pranoi se deri në kohën e asaj darke, nuk e ka njohur zotin Taylor dhe as që kishte dëgjuar më parë për shtetin me emrin Liberi.

Avokatët mbrojtës të ish-presidentit hodhën poshtë dëshminë e supermodeles, duke argumentuar se pohimet e saj “janë tërësisht të bazuara në supozime”.
Charles Taylor, i cili aktualisht gjendet në burgun e Hagës, ka qenë president i Liberisë nga 1996-ta deri më 2003-ën, kur edhe është akuzuar nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Sierra Leonen.

Është i akuzuar për krime serioze të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës civile në Sierra Leone.

Prokuroria synon ta vë të hënën në bankën e dëshmitarëve edhe aktoren Mia Farroë, e cila gjithashtu kishte marrë pjesë në darkën e vitit 1997. (f.b.)

XS
SM
MD
LG