Ndërlidhjet

Kosova ka ende fusha, të cilat duhet t’i përmbushë në kuadër të zbatimit të Planit të Ahtisarit, thuhet në qëndrimet e Zyrës Civile Ndërkombëtare pas deklaratave të kryeministrit Hashim Thaçi, se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi. ICO-ja i rikujton Qeverisë së Kosovës se vlerësimin për të arriturat në Kosovë do ta bëjë Grupi Drejtues Ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë SHBA-të,vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia.


Grupi Drejtues Ndërkombëtar është trupi përgjegjës që do ta vlerësojë shkallën e përparimeve në Kosovë, para se të mund të kalohet në fazën e pavarësisë së plotë dhe të pambikëqyrur.

Që nga shpallja e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri Hashim Thaçi në disa raste e ka përsëritur se Kosova tashmë po kalon në fazën e pavarësisë së plotë, duke e lënë pas mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Duke iu referuar këtyre deklaratave, Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, e njohur me shkurtesën ICO, si një trup që mbikëqyr të arriturat në shtetin e Kosovës, vlerëson se, “ICO-ja është një organizatë dinamike dhe se aktiviteti dhe struktura e saj i përgjigjen progresit të arritur në Kosovë”.

Një zëdhënës i ICO-së, Endi Mekgafi, përmes një deklarate me shkrim, thotë se “Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka rënë dakord për një lloj rebalancimi të parë të ICO-së në shkurt të këtij viti”.
Endi Mekgafi


“I takon Grupit Drejtues Ndërkombëtar që t’i përcaktojë ndryshimet e mëtejshme në aktivitetin dhe strukturën e ICO-së, natyrisht duke informuar plotësisht dhe marrë edhe mendimin e Qeverisë së Kosovës”,
shprehet Mekafi.

Sidoqoftë, ai tërheq vëmendjen edhe në disa detyra që në bazë të Planit të Ahtisarit, mbeten ende fusha të papërmbushura nga ana e shtetit të Kosovës.

“Duhet theksuar megjithatë se ka edhe një sërë fushash për zbatimin e plotë dhe të rregullt të dispozitave të Pakos së Ahtisarit, të cilat mbeten në proces për t’u arritur”,
thekson zëdhënësi Endi Mekgafi.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ideja e kryeministrit është serioze dhe mbështetet në të arriturat dhe faktet e reja që ka sjellë për shtetin e Kosovës, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hajredin Kuçi

“Pse e kemi bërë këtë ide apo propozim, janë tri arsye: e para është ngritja e kapaciteteve që ka ndodhur në Kosovë dhe në përputhje me këtë duhet të kemi ngritje të kapaciteteve institucionale dhe reduktim të atyre ndërkombëtare".

"E dyta – e dini që edhe Plani i Ahtisarit ka afat kohor dhe e treta, është mendimi i GJND-së. Kosova pas 22 korrikut nuk është e njëjtë për prezencën ndërkombëtare me atë që ka qenë para 22 korrikut”,
thotë Kuçi.


Duke mos lënë anash të arriturat në procesin e decentralizimit dhe integrimit të pakicës serbe, zëvendëspresidentja e partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Kosova ka ende nevojë për asistencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, duke aluduar sidomos në vazhdimin e pandryshuar të punës së misionit të EULEX-it.

“As kjo qeveri dhe as qeveritë paraprake nuk kanë arritur të ngrenë kapacitetet në funksionimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Ne ende kemi nevojë për asistencë nga bashkësia ndërkombëtare në këtë aspekt dhe ende kemi nevojë që të kemi një matës të vlerave të caktuara të jetës në Kosovë nga një institucion ndërkombëtar, në këtë rast në fushën e rendit dhe ligjit”, shprehet Kusari-Lila.

Në anën tjetër, Hajredin Kuçi nënvizon se kryeministri Thaçi e ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me kërkesën e tij për përfundimin e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur.

“Kërkesa e kryeministrit është që ne të përgatitemi, bashkësia ndërkombëtare të përgatitet, jo në kuptimin e konkurrencës së njëri-tjetrit por përgatitjes adekuate për një fuqizim të institucioneve tona, për një pavarësi të plotë që mendoj se në këtë drejtim kemi edhe mbështetjen e plotë të partnerëve tanë ndërkombëtarë”,
nënvizon Kuçi.

Ndryshe nga krerët e Qeverisë, Mimoza Kusari-Lila thotë se Kosova ka mungesë të kapaciteteve dhe planeve afatgjate zhvillimore, kështu që sipas saj, deklaratat e Thaçit duhet parë me skepticizëm.
Konsideroj se në një formë të caktuar asistenca ndërkombëtare është shikuar edhe vetëm si një mbështetje në mungesë të kapaciteteve vendore, jo në mungesë të mekanizmave institucionalë...


“Konsideroj se në një formë të caktuar asistenca ndërkombëtare është shikuar edhe vetëm si një mbështetje në mungesë të kapaciteteve vendore, jo në mungesë të mekanizmave institucionalë, por në mungesë të kapaciteteve për të menaxhuar dhe qeverisur drejt me Kosovën”
, vlerëson Kusari-Lila.

Në nenin 11 të dispozitave themelore të Planit të Ahtisarit, përveç se përcaktohen mekanizmat mbikëqyrës, thuhet se Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të ketë përgjegjësinë e gjithëmbarshme për mbikëqyrje dhe do të jetë autoriteti final në Kosovë lidhur me interpretimin e marrëveshjes, të njohur si Pakoja e Ahtisarit.

Ky Grup siç e ka caktuar Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, është trupi përgjegjës që i vazhdon mandatin shefit të ICO-së duke i ofruar udhëzime për largimin në faza deri në përfundim të plotë të mandatit.

Shqyrtimi i parë i këtij mandati, tashmë është bërë në shkurt të këtij viti dhe pritet që Grupi Drejtues Ndërkombëtar të vendosë nëse duhet të kalohet edhe në një fazë tjetër të rishikimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG