Ndërlidhjet

Shkatërrimi i një baze detare në periferi të Moskës nga zjarret, së fundi çoi drejt shkarkimeve të larta në ushtrinë e këtij vendi.

Presidenti Dimitry Medvedev largoi nga detyra zyrtarë të lartë ushtarakë, ndërsa kreut të marinës i dha vërejtje pas kritikave të shumta për dështim.

Lajmi u bë i ditur nga vetë presidenti rus, i cili ndërpreu pushimet e verës më herët për shkak të zjarreve që deri më tash morën jetën e gati 50 personave, ndërsa shkatërruan 130 mijë hektarë tokë.

“Ajo çka kemi arritur të kuptojmë është se ajo çka ndodhi është rezultat i neglizhencës kriminale duke e bërë të pamundshëm lokalizimin e zjarrit. Në fillim zjarri filloi të përhapet në nivel të ngadalshëm, derisa komandantët e bazës nuk gjendeshin askund”
, tha Medvedev.

Zjarri i javës së kaluar në bazën e quajtur Kolomna, shkatërroi 13 depo që përmbanin pajisje të aviacionit rus.

Presidenti rus, Dmitrij Medvedev, shkarkoi nga detyra disa zyrtarë të lartë ushtarakë

Drejtoresha e ruajtjes nga zjarret, Ana Kvashnina, tha për Radion Evropa e Lirë se zjarret dolën jashtë kontrollit, ngase zyrtarët ishin shumë të angazhuar në shuarjen e zjarreve në rajone më të rrezikuara.

Sidoqoftë, vlerësimet jo zyrtare, çojnë drejt shqetësimeve tjera për Rusinë. Sipas Vladimir Rimskyt, nga Fondacioni Demokratik për Shkencën Informative, problemi kryesor është paaftësia ruse që të parashikojë fatkeqësi të tilla.


“Metodat aktuale ruse që të parashikojnë fatkeqësi apo diagnostifikojnë efektet e fatkeqësive, lejojnë mundësi shumë të mëdha për gabime në atë se çka mund të ndodhë dhe në çfarë kohe. Qeveria, në të gjitha nivelet, duke filluar nga komunat, ka qenë tërësisht e papërgatitur që të përballet me zjarret”
, tha Rimsky.

Lajmi më shqetësues ishte ai për përhapjen e madhe të zjarrit shumë afër Qendrës së Kërkimeve Nukleare në një qytezë të rajonit Nizhny Novgorod. Zyrtarët rus thonë se zjarrfikësit po punojnë në ndalimin e përhapjes së mëtutjeshme të zjarrit.

Më herët, Ministria e Emergjencës e Rusisë kishte njoftuar se gjatë kësaj jave kishte arritur të shuante deri në 300 zjarre çdo ditë.

Sidoqoftë problemi me kaq nuk ka përfunduar, pasi gjatë së njëjtës javë çdo ditë janë raportuar deri në 400 zjarre të reja. (a.h.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG