Ndërlidhjet

2009: Më shumë amerikanë të përfshirë në terrorizëm


Viti 2009 ka shënuar rritje në numrin e qytetarëve amerikanë që kanë vepruar në emër të organizatave të huaja terroriste.

Ky është një nga përfundimet e raportit vjetor mbi terrorizmin, përgatitur nga Departamenti i Shtetit.

“Kemi mësuar një tjetër element të rëndësishëm vitin e kaluar. Ideja se amerikanët kishin një lloj imuniteti ndaj ideologjisë së Al Kaidës, u zhbë”.

“Ndonëse problemi i radikalizimit ekstrem mbetet shumë më i vogël te ne se në shoqëritë e tjera perëndimore, një numër rastesh të profilit të lartë na tregojnë se duhet të jemi syçelur”, tha Daniel Benjamin, koordinator i Departamentit të Shtetit në Zyrën e Kundërterrorizmit.

Në mesin e rasteve të profilit të lartë është dhe ai i Naxhibullah Zazit, i cili po hartonte një sulm kundër sistemit të transportit të nëndheshëm në Nju Jork.

Zazi, i lindur në Afganistan, ishte rezident në Shtetet e Bashkuara derisa ishte stërvitur nga Al Kaida në rajonin pakistanez të Vaziristanit.

Lidhur me komplotin në fjalë u akuzuan dhe dy banorë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, njëri me origjinë saudite dhe tjetri boshnjake.

Një tjetër rast i përmendur në raport është ai i psikiatrit Nidal Malik Hassan, i lindur në Virxhinia, i cili është akuzuar për sulmin ndaj një baze ushtarake në Teksas, si dhe rasti i Dejvid Hedlei, qytetar amerikan, i cili ka pranuar fajësinë për bashkëpunim me grupin Lakshar e Taiba për sulmet në Mumbai.

Në kohën e publikimit të raportit, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, publikoi aktakuzat ndaj 14 personave, përfshirë një qytetar amerikan.

Ata akuzohen për terrorizëm dhe për ndihmë organizatës Al Shabab, grup somalez që ka lidhje me Al Kaidën.

Përveç rritjes së numrit të qytetarëve të lindur në SHBA, të cilët tashmë janë operativë të organizatave terroriste, ka njohur rritje dhe numri i amerikanëve që janë bërë zëdhënës të këtyre grupeve.

Adam Gadahn, që thotë se ka lindur në Kaliforni, është bërë zëdhënës i Al Kaidës dhe ndihmon grupin që me propagandën e vet të ketë si cak opinionin perëndimor.

Omar Hamamai, i rritur në Alabama, është bërë kryepropagandisti i grupit Al Shabab.

Kleriku amerikano-jemenit, Anuar al Aulaki, kishte kontaktuar me Umar Abdulmutallab, duke e përgatitur këtë të fundit për sulmin ndaj aeroplanit amerikan në ditën e Krishtlindjeve.

Megjithatë, ka dhe shenja të mira. Raporti thekson se 2009-ta është viti me numrin më të ulët të sulmeve terroriste gjatë pesë vjetëve të fundit.

Edhe vdekjet nga këto sulme arritën nivelin më të ulët gjatë vitit 2009, vetëm 15 mijë.

Por, Russ Travers, nga Qendra Kombëtare e Kundërterrorizmit, tha se shifrat e ulëta nuk duhet të merren si sukses në luftën kundër terrorit.

“E kemi theksuar për disa vite me radhë se shifrat në nivel global nuk janë mënyra më e mirë për të matur suksesin kundër terrorizimit. Përse? Ne kemi klasifikuar 250 grupe në 83 shtete të ndryshme vitin e kaluar. Ato kanë agjenda të ndryshme, vendndodhje të ndryshme”, u shpreh Travers.

Një tjetër element i raportit vjetor është dhe fakti se numri i klerikëve, imamëve dhe ish-militantëve që kanë folur publikisht kundër Al Kaidës, ka njohur rritje në 2009-ën. (i.b.)
XS
SM
MD
LG