Ndërlidhjet

Japoni: Përkujtimi i tragjedisë


Hiroshimë
Hiroshimë
Për qytetin japonez Hiroshima, ora 8 e 15 e 6 gushtit 2010 është një çast krejt ndryshe nga e njëjta kohë e 6 gushtit 1945. Sot, në Hiroshimë ra kambana e paqes, duke shënuar kështu 65-vjetorin e sulmit me bombë atomike nga një avion ushtarak i SHBA-ve.

Kambana e paqes u arsyetua pak më shumë edhe me praninë e zyrtarëve amerikanë, për herë të parë që prej ngjarjes tragjike. Amerikanët, së bashku me mijëra të mbijetuar, u ulën në qetësi në memorialin e paqes të qytetit japonez. Të mbijetuarit tani thonë se zemërimi i tyre me SHBA-të është zbehur, pasi ajo që duan më shumë, është paqja.

Qyteti i Hiroshimës u shkatërrua në masë të madhe nga shpërthimi i bombës më 1945. Sulmi vrau 140 mijë banorë nga 350 mijë sa kishte në tërësi atëbotë Hiroshima.

Në grupin e viktimave përfshihen edhe disa mijëra që vdiqën shumë kohë pas sulmit, për shkak të lëndimeve të marra apo sëmundjeve që pasuan.

Tre ditë pas sulmit të parë, SHBA-të gjuajtën edhe një bombë të dytë në qytetin Nagasaki. Ky sulm, në më pak se një javë, detyroi atëkohë aleatin e Hitlerit që të dorëzohet.

Në shënimin e kësaj ngjarjeje po marrin pjesë edhe përfaqësues të 75 shteteve të botës, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.

“Momenti i çarmatimit nuklear për ne ka ardhur. Gjithkund, ne gjejmë miq dhe aleatë të rinj. Ne shohim se si vijnë në pushtet udhëheqës të rinj në vende të fuqishme. Ne shohim angazhim të ri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne shohim energji të re edhe nga shoqëria civile”, deklaroi në këtë ceremoni sekretari Ban.

Hiroshimë, 6 gusht 2010.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, Japonia është i vetmi shtet që është sulmuar ndonjëherë me bombë atomike dhe që tani kërkon nga e gjithë bota t’i heqin qafe bombat atomike.

Në ceremoninë e Hiroshimës, kryeministri japonez, Naoto Kan, njoftoi se Qeveria e tij po punon për të ofruar sugjerime të reja rreth këtyre armëve.

Duke shikuar nga e ardhmja, Qeveria jonë do të punojë në mënyrë aktive për të bërë sugjerime konkrete për çarmatimin nuklear dhe mospërhapjen e tyre (armëve) në shtete të tjera. Qeveria japoneze është e vendosur që të kontribuojë në formimin e një marrëveshjeje për tërë komunitetin ndërkombëtar”, iu tha të pranishmëve kryeministri japonez.

Një qëndrim të përafërt e ka dhënë edhe ambasadori amerikan në Japoni, Xhon Ros. Ky i fundit, ndonëse mori pjesë në ceremoninë që përkujton 65-vjetorin e sulmit me bombë atomike në Hiroshimë, qëndrimin e tij e dha përmes një komunikate.

Në këtë deklaratë, Ros konfirmoi se administrata aktuale e SHBA-ve po punon në drejtim të çarmatimit nuklear të botës.

Presidenti amerikan, Barak Obama, kohë më parë, kishte deklaruar se ai do të ndjehej i nderuar që të vizitojë Hiroshimën dhe Nagasakin, gjatë mandatit të tij presidencial. Nëse kjo ndodh, atëherë Obama do të bëhej presidenti i parë amerikan në detyrë që do t’i vizitonte këto dy qytete japoneze.

Të enjten, udhëheqësi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Jukija Amano, iu drejtua opinionit në Vjenë, duke kujtuar dy qytetet japoneze të shkatërruara nga bombat atomike.

Amano tha se iu “detyrohemi viktimave të këtyre sulmeve, që të bëjmë çdo gjë që është e mundshme që kurrë më të mos ndodhë një sulm i tillë”.

Në vitin 1971, shteti japonez, me një vendim të njëanshëm, ka ndaluar çfarëdo posedimi, prodhimi apo importimi të armëve nukleare.

Së fundi, në këtë vend ka zëra që duan heqjen e këtij vendimi, sidomos nga frika e posedimit të këtyre armëve nga fqinjët e Japonisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Megjithatë, opinioni publik në Japoni, në masë të madhe, kundërshton idenë e posedimit të armëve të tilla. (a.h.)
XS
SM
MD
LG