Ndërlidhjet

Kaos në komunikacion


Pamje gjatë punimeve
Pamje gjatë punimeve
Rregullimi i rrugëve të Prishtinës ka shkaktuar kaos në komunikacion. Pritjet e gjata në kolona po i revoltojnë ngasësit e automjeteve.

Diana Kastrati, ngasëse, shprehet se komunikacioni në kryeqytet është jashtëzakonisht i ngarkuar si pasojë e rregullimit të rrugëve, mirëpo, sipas saj, duhet pasur rrugë alternative.

Ajo thotë se Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka punuar në këtë drejtim në mënyrë që të shmanget ky kaos.

“Kjo që po ndodh në Prishtinë është katastrofë. Krejt rrugët nuk mund të ndreqen përnjëherë. Kjo i kushton edhe xhepit të qytetarëve; nga pritjet e gjata në kolona, shpenzimet e derivateve po trefishohen. Është dashur të ketë rrugë alternative, derisa të rregullohen rrugët kryesore”, shprehet kjo qytetare.

Ndërkaq, Muhamet Gashi, zëdhënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se në fillim të këtij viti, zyrtarë komunalë kanë pasur shumë takime me zyrtarë policorë, saktësisht me Njësinë e Trafikut për të gjetur rrugë alternative, në mënyrë që t’i shmanget tollovisë në komunikacion.

Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka pasur të planifikuar në projekt zgjerimin e shumë rrugëve, bulevardeve, si dhe nënkalimet. Por, rrugët alternative nuk janë bërë, për shkak të marrëveshjeve me Ministrinë e Transportit. Shumë rrugë janë mbyllur, për shkak të sigurisë së qytetarëve, sepse gërmimi i rrugëve ka shkuar deri në 9 metra", shpjegon Gashi.

Arbër Beka, zyrtar në Policinë e Kosovës thotë se pritjet e gjata në akset rrugore në vendet ku po ndërtohen rrugët, si mungesë e rrugëve alternative, kanë bërë që policia të angazhojë më shumë patrulla policore.

Për pasojë, policia duhet angazhuar patrulla shtesë jashtë mundësive, në mënyrë që komunikacioni të mos bllokohet në tërësi.

“Bëhet fjalë për pritje në akset rrugore ku po ndërtohet rrugët. Vetëm 'Te Rrethi', policia ka të angazhuara 8 patrulla policore. Edhe pse policia ka dhënë propozim për një rrugë alternative në Kuvendin Komunal, ende nuk kemi përgjigje konkrete. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me angazhimin tonë që sadopak t’i shmangim pritjet e gjata të qytetarëve”, sqaron Beka.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve komunalë, rregullimi i rrugëve të nisura do të përfundojë deri në fund të vitit.
XS
SM
MD
LG