Ndërlidhjet

Rreziku nga terrorizmi në Kosovë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kosova, sikurse vendet tjera në botë, nuk është imune ndaj terrorizmit, por situata nuk është alarmante, vlerësojnë autoritetet kosovare. Autoritetet thonë se në Kosovë mund të ketë elemente të zhvillimit të terrorizmit të brendshëm, por nuk shihet ndonjë rrezik nga aktet e drejtpërdrejta terroriste. Komentet e autoriteteve bëhen një ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vlerëson se Kosova ka bashkëpunuar me SHBA-të në kuadër të luftës kundër terrorizmit.


Autoritetet kosovare vlerësojnë se synim i elementeve terroriste mund të jetë shfrytëzimi i Kosovës si vend transit apo logjistik, por jo edhe sulmimi i saj me akte të drejtpërdrejta terrorizmi.

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se ekstremistët në Kosovë kanë vazhduar të mbajnë lidhje me krimin e organizuar, ndërsa nënvizon se organizatat joqeveritare islamike po kryejnë veprime të dyshimta terroriste.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk është vend i rrezikuar nga aktet terroriste, megjithëse thekson se sot asnjë vend në botë nuk është imun ndaj këtij fenomeni.

“Tash duhet bërë dallimi prej dy çështjeve, terrorizmit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Nga terrorizmi i brendshëm mund të ketë elemente për një lloj terrorizmi që është i mundshëm të zhvillohet”.

“Ndërsa, nga terrorizmi i jashtëm, në drejtim posaçërisht të terrorizmit ekstrem fundamental islamik, janë më shumë individë që merren me predikimin e llojit të feve, që janë më agresivë, sesa individë që merren me aktivitete terroriste”,
thotë Xhelili.
Ndoshta synimi, sipas vlerësimeve tona, është që Kosova të shfrytëzohet si vend transit apo logjistik për individë, apo grupe, edhe grupet nuk janë të identifikuara si të tilla, sesa që shohim ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë nga aktet terroriste.


Zëvendësministri Xhelili thekson se elementet terroriste po mundohen ta shfrytëzojnë Kosovën më shumë si një vend transit.

“Ndoshta synimi, sipas vlerësimeve tona, është që Kosova të shfrytëzohet si vend transit apo logjistik për individë, apo grupe, edhe grupet nuk janë të identifikuara si të tilla, sesa që shohim ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë nga aktet terroriste. Edhe pse mund të them që sot asnjë shtet nuk është imun dhe nuk mund t’i eliminojë rreziqet e tilla”,
thekson Xhelili.

Në anën tjetër, analisti për çështje politike dhe të sigurisë, Arben Qirezi, vlerëson se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk paraqet situatë alarmante në Kosovë.

Por, Qirezi tërheq vërejtjen për forcat e sigurisë që të jenë më syçelë ndaj aktiviteteve të dyshimta të individëve dhe grupeve të ndryshme.

“Ka indikacione, ka individë dhe grupe të lidhura me rrjetet globale të terrorizmit. Kjo, natyrisht e shton nevojën që forcat e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, të jenë të kujdesshme dhe t’i përcjellin aktivitetet e organizatave, që mund të ndihmojnë në rekrutimin e individëve nga Kosova për aktivitete të ndryshme transnacionale”.
Bëhet fjalë për organizatat e ndryshme që veprojnë në Kosovë nën vellon e organizatave humanitare, e të cilat kryesisht vijnë nga vendet ku buron terrorizmi islamik dhe kjo është Lindja e Mesme.


“Bëhet fjalë për organizatat e ndryshme që veprojnë në Kosovë nën vellon e organizatave humanitare, e të cilat kryesisht vijnë nga vendet ku buron terrorizmi islamik dhe kjo është Lindja e Mesme”
, shpjegon Qirezi.

Janë të paktën dy kosovarë, të cilët po gjykohen nga drejtësia amerikane në lidhje me dyshimet për terrorizëm. Ndërkohë, që EULEX-i kohë më parë kundërshtoi ekstradimin e të dyshuarit për terrorizëm, Bajram Asllani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arben Qirezi vlerëson se Kosova nuk ka kapacitete për të luftuar terrorizmin, meqë ende mungon konsolidimi i institucioneve që do të merreshin me këtë punë. Mosmenaxhimi i duhur i kufijve, sipas tij, është një problem tjetër në vete.

“Kosova është vend i hapur dhe këtu mund të vijnë shumë njerëz nga të gjitha anët e botës pa ndonjë kontroll paraprak. Kosova ka filluar që ta zhvillojë sistemin e verifikimit të identitetit dhe ka lidhje me agjencitë ndërkombëtare të sigurisë”.

“Mirëpo, mendoj se problemi më i madh, sa i përket kufijve, qëndron në bashkëveprimin e grupeve të ndryshme terroriste me krimin e organizuar, sidomos me shpëlarje parash, kontrabandë me drogë etj”,
vlerëson Qirezi.

Por, institucionet e Kosovës thonë se tash një kohë të gjatë po përcjellin aktivitetet e dyshimta. Zëvendësministri Xhelili shpjegon:

“Që nga lufta e këndej zyrtarë të institucioneve përgjegjëse janë angazhuar që t’i identifikojnë ata, që mund të jenë të dyshimtë për aktet e tilla dhe aktivitetet në këtë drejtim mund edhe të evidentohen”.

“Këto aktivitete janë përcjellë me kujdes dhe me seriozitet të madh dhe ne tash e kemi krijuar kornizën ligjore, për t’iu mundësuar organeve tona të ndjekjes dhe të rendit të merren me këtë çështje. Por, nuk ka rezultuar si diçka që e kërcënon drejtpërdrejt Kosovën në atë drejtim”, t
ha Xhelili.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se Qeveria e Kosovës është përpjekur t’i parandalojë ekstremistët që të përdorin OJQ-të për të fituar terren në Kosovë.

Në raport thuhet se Policia e Kosovës dhe Njësia Kundër Terrorizmit e EULEX-it janë përgjegjëset kryesore në luftën kundër terrorizmit.
Por, sipas raporti, të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize.

Lexoni edhe këtë: 2009: Më shumë amerikanë të përfshirë në terrorizëm
XS
SM
MD
LG