Ndërlidhjet

logo-print

Xhamia e Nju-Jorkut nxit debate

  • Heather Maher

Kullat Binjake, që u shkatërruan më 11shtator 2001

Kullat Binjake, që u shkatërruan më 11shtator 2001

Në Nju-Jork i është dhënë drita jeshile ndërtimit të një qendre kulturore islame dhe një xhamie.

Kjo ka nxitur debate të ashpra, ku janë përfshirë edhe politikanë, nëse duhej të lejohej një gjë e tillë apo jo, pasi xhamia pritet të ndërtohet në afërsi të vendit ku dikur ekzistonin kullat binjake.

Objektet gjigante u shkatërruan më 11 shtator 2001, pas sulmit terrorist në Nju-Jork.

Kundërshtarët e ndërtimit të kësaj xhamie thonë se kjo tregon mungesë respekti për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit, ndërsa përkrahësit e planit thonë se kjo është, thjesht, një e drejtë e shprehjes fetare dhe një e drejtë kushtetuese.

Ky plan ka për qëllim ndërtimin e një qendre kulturore islamike në qytetin e Nju-Jorkut, shumë afër vendit ku gjendeshin Kullat Binjake. Në vitin 2001, këto objekte u shkatërruan pas sulmeve terroriste ku humbën jetën gati 3 mijë persona.

Kundërshtarët e përdorin si argument faktin se përpos një pishine dhe një qendre arti, pjesë e kësaj qendre, që do të kushtojë 100 milionë dollarë, është edhe ndërtimi i një xhamie.

Ish-guvernatorja Republikane e Alaskës, Sarah Palin, ka qenë kundërshtare e zëshme e planit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kryesisht nuk kanë pranuar të prononcohen. Zyra e senatorit të Nju-Jorkut, Chuck Schumer, vetëm bëri të ditur se nuk e kundërshton planin.

Shtëpia e Bardhë, në anën tjetër ka qëndruar tërësisht indiferente ndaj këtij debati.

Këtë javë, plani ka tejkaluar edhe sfidën e fundit ligjore pasi Komisioni njujorkez për monumentet kulturore nuk e kundërshtoi shkatërrimin e një objekti 152-vjeçar, i cili duhet të rrëzohet për t’i hapur rrugë ndërtimit të qendrës islamike.

Rruga me nr. 44 deri te Parkingu i rrugës nr. 47, nuk arrin standardin e nevojshëm që të shpallet si monument kulturor i Nju-Jorkut”, bëri të ditur Libi Rajan nga Komisioni për Monumentet Kulturore.

Derisa ky vendim lexohej, njujorkezët që merrnin pjesë në audiencë mbanin pano ku shkruante: “Kjo xhami nderon vrasësit tanë” dhe “Islami po ndërton xhami në vendin e pushtimit dhe fitoreve të tyre”.

Zëdhënësi i Qendrës që do të ndërtohet, Oz Sultan, vlerëson se ajo që ata duan të bëjnë është “krijimi i një modeli, i cili i tregon botës se zhvillimi i komunitetit të myslimanëve të moderuar është i mundshëm”.

Përpos kësaj, edhe një organizatë hebreje për të drejtat civile befasoi opinionin me qëndrimin që mbajti.

“Liga Kundër Etiketimit” ndonëse e dënon atë që e quan “fanatizëm të shprehur hapur”, megjithatë e quan të padrejtë ndërtimin e qendrës pasi kjo, sipas tyre, do të shkaktojë më shumë dhimbje për viktimat e Kullave Binjake.

Ibrahim Hooper, zëdhënësi i Qendrës për marrëdhëniet amerikano-islamike, vlerëson se kundërshtarët e planit janë njerëz që kanë agjendë anti-myslimane.

“Tema e vërtetë në këtë debat janë myslimanët kudo në Amerikë. Të njëjtit njerëz që kundërshtojnë këtë Qendër Islamike janë ata që kundërshtojnë xhami edhe në Tenesi, në Kaliforni, në Illinoi apo Staten Island. Kudo që ne kërkojmë, ata kundërshtojnë. Çdoherë kur ne kërkojmë, ata kujtohen për një justifikim të fanatizmit të tyre
”, thotë Ibrahim Huper.

Megjithatë, grupi që do të ndërtojë Qendrën Islamike ka një aleat të fuqishëm, kryebashkiakun e Nju-Jorkut, Micheal Bloomberg.

“Qendra Tregtare Botërore apo Kullat Binjake përgjithmonë do të kenë një vend të veçante në qytetin tonë, në zemrat tona. Por, ne do të tregoheshim jo të sinqertë si njujorkezë dhe si amerikanë po t’i thoshim JO një xhamie në Lagjen e Manhatanit. Të mos harrojmë se myslimanët kanë qenë në mesin e viktimave të 11 shtatorit dhe fqinjët tanë myslimanë kanë mbajtur zi me ne si njujorkezë dhe si amerikanë”, thekson Bloomberg.

Të premten, një grup i aktivistëve hebre thanë se kundërshtarët po i vazhdojnë keqkuptimet për Islamin.

Në mesin e tyre ishte edhe Rabini 76-vjeçar, Arthur Vaskou, i cili u shpreh i zhgënjyer nga pozicioni i mbajtur i Ligës Kundër Etiketimit.

“Jam i befasuar që ata i hapën derën këtij lloji të urrejtjes. Kjo derë duhet mbyllur butësisht dhe sigurt”,
vlerësoi rabini nga Filadelfia.(a.h)
XS
SM
MD
LG