Ndërlidhjet

logo-print

Ivanoviq: Ndarja e Kosovës, nuk përjashtohet


Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Në Serbi nuk bisedohet për idenë e ndarjes së Kosovës, por kjo ide nuk mund të përjashtohet, tha Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai i quajti të nevojshme bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta të të dyja palëve. Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të kërkojnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës tashmë është i ditur. Për mesin e shtatorit është paralajmëruar seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Çfarë prisni nga kjo seancë?

OLIVER IVANOVIQ
Unë po shpresoj që Asambleja e Përgjithshme, megjithatë do të përpiqet të korrigjojë efektin negativ, të cilin e ka krijuar mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe se do ta pranojë rezolutën e Serbisë.

Por, sido që të jetë, kjo seancë e Asamblesë së Përgjithshme, duhet të paraqesë rrugën hyrëse për bisedime. Bisedimet janë të nevojshme dhe kjo është më se e dukshme. Vetëm se dallimi është që njëra palë, shqiptarët, konsiderojnë se me ta mund të bisedohet vetëm për çështjet teknike.

Ndërkaq, ne mendojmë se çështjet teknike janë të rëndësishme dhe se për to duhet të bisedohet, por edhe statusi gjithashtu ende nuk është përfundimisht i definuar dhe si i tillë do të jetë, tash dhe në të ardhmen, shkaktar i destabilitetit politik.

RADIO EVROPA E LIRË

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Serbia do të marrë goditje të reja, befasuese dhe se ato, siç kanë thënë ata, do të jenë rezultat i veprimeve të vetë Serbisë. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

OLIVER IVANOVIQ

Mendoj se kjo më shumë ka të bëjë me një lloj propagande dhe reklamë, e cila është e destinuar për opinionin publik vendor. Do të thotë, përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë iu flasin kështu shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë, të cilët kanë probleme të mëdha sociale dhe papunësi të madhe.

Në këtë mënyrë ju japin, të them ashtu, një lodër, me të cilën do të mashtrohen, në mënyrë që thjesht të kalojë edhe pak kohë. E, nuk po zgjidhen problemet e mëdha sociale.

Kanë probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërkaq, në vazhdimësi keni deklarata të tilla bombastike në mediat e Kosovës, të cilat iu drejtohen njerëzve që i lexojnë ato.

RADIO EVROPA E LIRË

Në vazhdimësi ekzistojnë zëra që thonë se bisedimet teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të domosdoshme. Në anën tjetër, disa politikanë serbë vlerësojnë se shumica e çështjeve të ashtuquajtura teknike, prekin edhe çështjen e statusit të Kosovës. A mendoni se do të ketë bisedime, duke pasur parasysh pozicionimet e kundërta të autoriteteve të Kosovës dhe të atyre në Serbi?

OLIVER IVANOVIQ

Unë mendoj se bisedime do të ketë dhe se ato janë nevojë e situatës dhe nevojë e momentit. Zgjidhja e disa çështjeve teknike janë të nevojshme për shqiptarët, për serbët dhe gjithë të tjerët.

Por, e thënë objektivisht, është vështirë të bisedohet për çështje teknike, si për shembull problemet e energjisë elektrike, nëse nuk vërtetohet se kush është sovran që të sjellë vendimin që të vihet në punë shërbyesi i dytë.

Pastaj, për telekomunikacionin, duhet të vërtetojmë se kush është sovran që të sjellë vendime lidhur me këtë. A duhet këtë ta bëjnë vetëm institucionet në Prishtinë, apo duhet që ta kenë edhe përkrahjen, fundja, të bashkësisë ndërkombëtare, nëse nuk dëshirojnë që serbët t’i përfshijnë në procesin e sjelljes së vendimeve?

RADIO EVROPA E LIRË

E gjithë kjo, a vendos disa barriera që këto bisedime të mos fillojnë fare?

OLIVER IVANOVIQ

Unë nuk mendoj se kjo do të jetë barrierë. Thjesht, bisedimet do të duhet të fillojnë, vetëm se është i rëndësishëm formati, sepse, nga ajo që Serbia nuk do të tërhiqet, është formati ku do të ulen të dyja anët dhe në mes është prania e UNMIK-ut, nga e cila nuk do të hiqet dorë, Do të thotë, UNMIK-u është i vetmi që ka legjitimitetin e politikës së jashtme.

RADIO EVROPA E LIRË

Çfarë mendoni se do të mund t’i zbuste qëndrimet diametralisht të kundërta të të dyja palëve në bisedimet eventuale?

OLIVER IVANOVIQ

Ndonjë perspektivë e qartë evropiane dhe, do të thosha, harta e rrugës, e cila do të kishte edhe kohët kalimtare dhe pikët kalimtare, si dhe vërtetimin e të arriturave.

Kjo do të mund të ishte atraktive për të dyja anët dhe mendoj se kjo do të sillte deri te relaksimi dhe marrëveshja, sepse kjo që tash kemi, është zgjidhje e njëanshme, e cila i intereson vetëm njërës prej dy palëve të interesuara.

RADIO EVROPA E LIRË

Disa ditë më parë, kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, është cituar të ketë thënë se shqiptarëve të Kosovës duhet t’iu ofrohet zgjedhja e autonomisë nga 1 deri në 100. Numri 100 nënkupton pavarësinë. Por, një gjë të tillë ai e ka kërkuar edhe për serbët e veriut të Kosovës. Sipas jush, kjo kërkesë, a nënkupton ndarjen e Kosovës dhe a po e favorizon Serbia idenë e tillë?

OLIVER IVANOVIQ

Në Serbi nuk ka ide të tillë, gjegjësisht, ndarja nuk është temë, për të cilën bisedohet. Por, thënë objektivisht, ajo nuk mund të përjashtohet, sepse kjo gjendje, që është e tendosur dhe në të cilën të dyja anët mbajnë pozicionim të fortë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe Kosova nuk e pranon veriun, kjo gjendje kërkon një zgjidhje.

Zgjidhja është prapë bisedimet për statusin, gjë që do të sjellë deri te një rezultat, çfarëdo qoftë ai. Nëse ai rezultat është i pranuar nga të dyja palët, gjegjësisht, nëse është fryt i kompromisit në mes të dy opsioneve të kundërta, Evropa dhe bota do ta pranojnë atë. Do të thotë, çfarëdo që merremi vesh ne, Evropa do ta pranojë.

RADIO EVROPA E LIRË

Por, për bisedime të tilla për statusin, nuk janë të gatshme autoritetet në Kosovë. Si mendoni se mund të dilet nga ky, nëse mund të quhet, rreth vicioz?

OLIVER IVANOVIQ

Autoritetet në Prishtinë duhet t’iu përgjigjen qytetarëve të tyre ose atyre që i perceptojnë si autoritete. Si do t’i zgjidhin problemet sociale, nëse problemi me Serbinë do të mbetet tash e 100 vjet? Si do ta zgjidhin çështjen e mbretërimit të ligjit, si do të luftojnë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëse vazhdimisht para kësaj luftë vendoset çështja politike?

Ndërkaq, çështja politike është e kushtëzuar me statusin e pazgjidhur. Si do të shkojnë tutje nëse nuk mund të hyjnë në asnjë organizatë ndërkombëtare, sepse një gjë të tillë Serbia do ta bllokojë? Si do të shkojnë tutje, nëse askush nuk do të vijë që të investojë nën një atmosferë të tillë?

Mendoj se këto janë çështje, të cilat duhet t’i vënë para vetes politikanët e përgjegjshëm, qofshin ata serbë ose shqiptarë. Unë, mendoj se është interes, jo vetëm i Serbisë, por i të gjithëve në këtë hapësirë dhe më gjerë në Ballkanin perëndimor, që serbët dhe shqiptarët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Unë e di që është e vështirë, kur kihet parasysh se shqiptarët e Kosovës kanë krijuar një bindje për këtë se çështja është e kryer dhe në këtë mënyrë kanë krijuar pritje joreale në mesin e popullit shqiptar.

Por, është fakt se do t’iu duhet që ta gëlltisin pilulën e hidhur dhe të thonë ‘po, ne e kemi shpallur pavarësinë, por ajo është e pamjaftueshme për të jetuar më mirë. Dhe, për të jetuar më mirë, duhet që me Serbinë të gjejmë një marrëveshje’, para së gjithash edhe për atë se si do të duket ajo autonomi, nga 1 deri në 100.

RADIO EVROPA E LIRË

Por, kjo autonomi, nga 1 deri në 100, nëse do të realizohej, a paraqet kjo, në njëfarë mënyre, një ndarje të brendshme të Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ

Unë po ju them se kjo është çështje e marrëveshjes së dy palëve. Unë nuk e dua fjalën ‘ndarje’ dhe nuk e përdori atë kurrë në paraqitjet e mia publike.

Thjesht, mendoj se kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Por, çfarëdo zgjidhje, të cilën do ta sillnin të dyja palët dhe do të dakordoheshin bashkërisht për të, do të jetë e pranueshme për gjithë botën dhe duhet të jetë e pranueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu.

Do të thotë, unë mund të jetoj me zgjidhjen, për të cilën do të merreshin vesh të dyja palët.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG