Ndërlidhjet

UNMIK: Vendos KS-ja, e jo Prishtina


Ndërtesa e UNMIK-ut në Prishtinë

Ndërtesa e UNMIK-ut në Prishtinë

Derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe, ne do të vazhdojmë punën tonë, thonë përfaqësues të misionit të OKB-së në Kosovë. Zhvleftësimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, mbi të cilin bazohet puna e UNMIK-ut, ishte kërkuar sërish nga Prishtina zyrtare. Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili flet edhe për Rezolutën 12 44, duket të jenë shkaktuar disa paqartësi lidhur me masat legale që mund të ndërmerren për ta larguar UNMIK-un nga Kosova dhe për t’i dhënë fund 12 44-shit.


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë duket se nuk ndihet e kërcënuar nga kërkesat e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për zhvleftësimin e Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

Një kërkesë e tillë u paraqit edhe në seancën e fundit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Veprimi i diplomacisë kosovare u quajt i gabuar ngase, siç thuhej, me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është konsumuar Rezoluta 12 44.

Në UNMIK thonë se është në duart e Këshillit të Sigurimit të vendosë për ndryshimet eventuale. Zëdhënësi i këtij misioni, Rasëll Gik, thekson se UNMIK-u do të vazhdojë punën derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe.
UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kuadër të mandatit të tij që vjen nga Këshilli i Sigurimit, derisa Këshilli i Sigurimit vendos ndryshe.


“UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kuadër të mandatit të tij që vjen nga Këshilli i Sigurimit, derisa Këshilli i Sigurimit vendos ndryshe. Mendoj se ajo që kemi dëgjuar në seancën e fundit për Kosovën në Këshilli të Sigurimit, ishte një mbështetje për punën tonë nga anëtarët e këshillit”,
deklaron Giki.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, vlerëson se Prishtina zyrtare, që nga procesi në GJND duhet ta injorojë 12 44-shin dhe të veprojë si shtet.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, sugjeron që Prishtina zyrtare të shfrytëzojë sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të aplikuar për anëtarësim në OKB pa u thirrur në Rezolutën 12 44, por duke u bazuar në opinionin këshillëdhënës të GJND-së, i cili, sipas tij, e ka vendosur de fakto Kosovën në një pozicion të pakthyeshëm politik e legal.
12 44-shi faktikisht nuk është më i gjallë dhe Kosova duhet të jetë në ofensivë në këtë drejtim.


“Kosova nuk duhet të vendoset në pozicion defansiv për të filluar debatin nëse 12 44-shi është gjallë ose jo. 12 44-shi faktikisht nuk është më i gjallë dhe Kosova duhet të jetë në ofensivë në këtë drejtim”,
shprehet Ramadani.

Pavarësisht karakterit këshillëdhënës të mendimit të GJND-së, i cili nuk obligon asnjërën palë për veprime të caktuara, analistët në Prishtinë thonë se Kosova do të duhej të përfitonte nga vlerësimet e trupit më të lartë të drejtësisë në botë.

Analisti Halil Matoshi, pohon që në aspektin legal 12 44-shi mbetet ende në fuqi dhe se për shkak të përbërjes së Këshillit të Sigurimit nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i saj.
Besoj që Asambleja e Përgjithshme do t’u bëjë kërkesë palëve si shtete -Serbisë dhe Kosovës, që të bisedojnë për çështje të kufijve, të krimit të organizuar, luftimin e trafikimit...


Megjithatë, ai thotë se duhet të priten zhvillimet në Nju-Jork në vjeshtën e këtij viti.

“Besoj që Asambleja e Përgjithshme do t’u bëjë kërkesë palëve si shtete -Serbisë dhe Kosovës, që të bisedojnë për çështje të kufijve, të krimit të organizuar, luftimin e trafikimit dhe të tjera”, thekson Matoshi.


Rezoluta 12 44 ishte miratuar më 10 qershor të vitit 1999. Në mendimin e GJND-së thuhet se qëllimi i dokumentit në fjalë ishte krijimi i një regjimi të përkohshëm e të jashtëzakonshëm juridik që synon stabilizimin e Kosovës dhe se si i tillë, është projektuar për ta bërë këtë në një bazë të përkohshme.
XS
SM
MD
LG