Ndërlidhjet

Gjeorgjia kritikon vizitën e Medvedevit



Qeveria e Gjeorgjisë ka kritikuar vizitën e sotme të presidentit rus, Dimitri Medvedev, në Abkazi. Zëvendëskryeministri gjeorgjian deklaroi se vizita e Medvedevit synon të largojë vëmendjen e opinionit nga problemet e brendshme me zjarret. Vizita e Medvedevit nuk ndryshon asgjë në Kaukaz, tha Temur Jakobashvili.

Vizita e paparalajmëruar e presidentit rus në rajonin e Abkazisë bëhet në dy vjetorin e luftës ruso-gjeorgjiane.

Burimet ruse raportojnë se Medvedev ka premtuar vendosjen e raporteve të gjithanshme politike, ekonomike dhe në fushën e sigurisë me Abkazinë. Shefi i Kremlinit është takuar me udhëheqësin rebel të Abkazisë, Sergei Bagapsh.

Në gusht të vitit 2008 forcat ruse pushtuan Gjeorgjinë pasi luftimet shpërthyen në rajonin e Osetisë Jugore.

Pas luftës së dy viteve më parë Moska njohu pavarësinë e dy rajoneve gjeorgjiane, veprim që është kundërshtuar nga perëndimi. Medvedev deklaroi në Sohumi se ndërhyrja e Rusisë në Osetinë e Jugut dhe njohja e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkazisë, sipas të gjitha gjasave mënjanoi një gjakderdhje masive.

Abkazia dhe Osetia e Jugut, të cilat i përkasin Gjeorgjisë, që nga vitet ’90-të kërkojnë shkëputjen nga Tbilisi.
XS
SM
MD
LG