Ndërlidhjet


Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar një valë të re njohjesh, që sipas tyre, do të vijë si rezultat i mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Paralajmërimet e bëra flasin për njohje që do të vinin nga shtete të Karaibeve dhe vende nga Azia. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka deklaruar gjatë javës së Kosova po synon të arrijë 135 njohje të reja. Ndërkaq, njohjet e para, sipas tij, do të vijnë qysh ditët në vijim.

“Pa përjashtim çdo shtet, me të cilin kam kontaktuar këto ditë, e kanë qenë me dhjetëra, e kanë ndryshuar qëndrimin rrënjësisht, sepse janë pikërisht ato shtete që para GJND-së në vazhdimësi na kanë thënë se preferojnë të presin mendimin e GJND-së, pastaj do të vendosin për njohje dhe shumë shpejt do të shihni fillimin e njohjeve të reja”, ka deklaruar Hyseni.

Mendimi pozitiv i GJND-së për pavarësinë e Kosovës është cilësuar si një fitore e madhe dhe legjitimim ndërkombëtar i statusit të pavarur të Kosovës. Megjithatë, përveç paralajmërimeve ende nuk është shënuar asnjë njohje e re.

Ibrahim Gashi, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se Qeveria është dashur të mobilizohet dhe organizohet më mirë në planin diplomatik pas vendimit të GJND-së.

Duhet të krijohet një ekip shumë më i gjerë dhe shumë më gjithëpërfshirës për lobim në vende veç e veç dhe, natyrisht, një ekip i personaliteteve ndërkombëtare që do të punonin në Nju-Jork në vigjilje të sesionit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.

“Kjo, kur kihet parasysh se sa komplekse është puna me 192 shtete, ose delegacione, apo edhe i heqim ato që e kanë njohur Kosovën dhe mbesin prapë afër 120 sish”,
ka theksuar Gashi.

Kritika për punën e bërë në rrafshin diplomatik Qeverisë i janë adresuar edhe nga një subjekt më i vogël opozitar, Partia Social-Demokrate. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Arben Rashkaj, ka deklaruar se Qeveria nuk ka arritur të menaxhojë mirë fitoren në Hagë.

Qeveria e Kosovës dhe diplomacia e saj nuk ka arritur ta përdorë mendimin e GJND-së si argument të fortë diplomatik për të ndikuar në mënyrë të shpejtë në shtimin e njohjeve. Prandaj, Qeveria duhet t’i shtojë angazhimet në rrafshin diplomatik duke kërkuar nga përkrahësit e pavarësisë që të ushtrojnë ndikimin diplomatik te vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, ka thënë Rashkaj.

Deri më tash, Kosovën e kanë njohur 69 shtete. Për javën e ardhshme, në mesin e 10 shteteve që paralajmërohet se do ta njohin Kosovën përmenden edhe Pakistani e Indonezia.

Në anën tjetër, Serbia fqinje ka dërguar një projektrezolutë në Kombet e Bashkuara, me të cilën synon, siç thuhet, fillimin e bisedimeve për statusin, duke synuar kështu edhe anashkalimin e mendimit të GJND-së.

Sidoqoftë, statusi i Kosovës tashmë konsiderohet i zgjidhur nga vendet e perëndimit, ndërkaq pas GJND-së, vetëm priten efektet që do të sjellë mendimi pozitiv për pavarësinë, që kryesisht ndërlidhet me shtimin e njohjeve të reja.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG