Hetuesit afganë dhe amerikanë po i vazhdojnë hetimet për vrasjen e 10 punonjësve mjekësorë humanitarë, tetë nga të cilët besohet se janë perëndimorë, të cilët u qëlluan për vdekje në provincën Badakshan.
Njoftimet fillestare tregojnë se vullnetarët janë pesë burra amerikanë dhe tre gra, nga Amerika, Gjermania dhe Britania, si dhe dy afganë.
Të paktën një afgan i ka mbijetuar sulmit.
Grupi i paarmatosur ishte duke i trajtuar fshatarët nga sëmundjet e syrit.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i ka dënuar vrasjet, duke i quajtur “akt të neveritshëm dhe dhunë e kotë”.
Klinton i hodhi poshtë pohimet e talibanëve se të huajt ishin përpjekur t’i konvertojnë afganët në krishterizëm.