Ndërlidhjet

Të reshurat vështirësojnë përpjekjet për ndihma

  • RFE /RL

Përmbytjet në Pakistan

Përmbytjet në Pakistan

Dërgimi i ndihmave me helikopterë në pjesët më së tepërmi të goditura në pjesën veri-perëndimore është ndalur dhe kjo ka ndikuar që gjendja e dhjetëra-mijëra njerëzve të përkeqësohet.

Ata tashmë janë të izoluar për shkak të shkatërrimit të rrugëve nga vërshimet dhe reshjet.

Qeveria u është nënshtruar kritikave lidhur me atë që cilësohet si mungesë e përgatitjeve dhe përgjigjes joadekuate ndaj vërshimeve më shkatërruese në historinë e Pakistanit.

Kryeministri Jusuf Raza Gilani ka ftuar për ndihma ndërkombëtare, duke pranuar se Qeveria nuk ka burime për t’iu përgjigjur ndaj shkatërrimeve të këtilla.

Shirat dhe erërat vazhduan edhe gjatë fundjavës, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut dhe duke e bërë pothuajse të pamundshme dërgimin e ndihmave në pjesën veriperëndimore Svat Vallei dhe në provincën Kiber Paktunhva.

Të 29 urat mbi lumenjtë në këtë rajon janë shkatërruar krejtësisht dhe kjo i ka detyruar punonjësit humanitarë që ndihmat t’i dërgojnë me kuaj ose këmbë.

Oficeri amerikan për fluturime, Xhorxh Kelli, ka shpërndarë furnizime nga helikopterët në rajonet e prekura nga vërshimet.

“Shkalla e shkatërrimit është shumë e madhe. Terreni, në të cilin ne po operojmë, është shumë i frikshëm, me maje të larta malore dhe me kufizime të shumta. Po ashtu, problemet me kohë ishin të pranishme gjatë disa ditëve të fundit”, ka thënë Kelli.

Njerëzit e goditur nga vërshimet janë të pakënaqur me veprimet e qeverisë.

“Qeveritë federale dhe provinciale kanë dështuar krejtësisht për t’iu përgjigjur katastrofës. Nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka ushqim, nuk ka asgjë. Çdo gjë e ka marrë uji”, është shprehur Riaz Khan, banori i rajonit Svat.

Banori tjetër, Mohamed Amin, ka thënë se është për keqardhje mosveprimi i Qeverisë në këtë krizë.

“Populli i rajonit Svat është goditur më së shumti nga vërshimet. Qindra njerëz janë goditur nga ato. Mijëra shtëpi janë shkatërruar , ndërsa janë prekur qindra mijëra të tjera. Mosveprimi i qeverisë në këtë krizë është për keqardhje”, ka thënë Amin.

Të reshurat e mëdha, në përgjithësi, priten në këtë periudhë të vitit.

Analistja nga Karaçi, Huma Jusuf, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, megjithëqë vërshimet në veri-perëndim kanë filluar para dy javësh, Qeveria nuk i ka evakuuar fshatrat që gjendeshin në pjesën jugore.

“Tash, zyrtarët qeveritarë nuk mund të bëjnë asgjë. Mendoj se plani i Qeverisë është për të pritur ndaljen e të reshurave, e pastaj të bëhet diçka. Ata nuk kanë mësuar asgjë nga Kiber Paktunhva për evakuimin e banorëve në provincën Sind”, ka deklaruar analistja Jusuf.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Pakistan ka thënë se kërkohet 1 miliard dollarë për ta ndihmuar Pakistanin për ripërtëritje, pasi të ndalen të reshurat.

Programi Botëror i Ushqimit parasheh se afro 4 milionë njerëz do të kenë nevojë për furnizim me ushqim për një periudhë prej tre muajsh, pasi të ndalen të reshurat. (f.b.)


XS
SM
MD
LG