Ndërlidhjet

Përqindje e ulët e GDP-së


Ngritja e Bruto Produktit Vendor ose GDP-së në Kosovë, e cila, sipas Komisionit Evropian, do të jetë 4.8 për qind më e lartë në vitin 2010, është e pamjaftueshme për zhvillimin e ekonomik të Kosovës, vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë.


Komisioni Evropian ka vlerësuar se marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe hetimet e filluara për korrupsionin janë mjaft të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.

Ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë e cilësojnë të arsyeshme marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar me Qeverinë e Kosovës, që kjo e fundit të mos e ngarkojë buxhetin me shpenzime të reja.

Por, ata theksojnë se ngritja e përqindjes së Bruto Produktit Vendor ose GDP-së , e cila, sipas Komisionit Evropian, do të jetë 4.8 për qind më e lartë në vitin 2010, nuk është e mjaftueshme për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Lumir Abdixhiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, rritjen prej 4.8 për qind të GDP-së e quan simbolike. Sipas tij, ajo nuk i përmbush nevojat elementare të Kosovës, sa i përket punësimit dhe uljes së shkallës së varfërisë.

“Çdo rritje ekonomike nën 10 për qind, për Kosovën është e pamjaftueshme. Ne kemi rreth 30 mijë të rinj që hyjnë në tregun e punës çdo vit. Kemi konsideruar se rritja prej 8 për qind do ta mbante këtë nivel (aktual) të punësimit të palëvizshëm. Ndërkaq, rritja prej 10 për qind do të nxiste vende të reja të punës”.

“Për Kosovën është e nevojshme të kemi një rritje shumë më të madhe se 4. 8 për qind ose 5 për qind dhe, padyshim, ky është një lajm jo i mirë për vendin tonë”,
thotë Abdixhiku.

Edhe Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, e vlerëson të pamjaftueshme rritjen e GDP-së nga Komisioni Evropian.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar për politikat monetare. Por, sipas tij, ky mekanizëm financiar nuk mund të përkufizojë çështjen e zhvillimit ekonomik dhe Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma dhe burime që të investojë në zhvillimin ekonomik.

Pamje në Prishtinë
“Një shifër e ngritjes së GDP-së nën numër dyshifror është shumë e vogël për ta ndryshuar situatën shumë të rëndë ekonomike në Kosovë. Kjo për mua është një rritje simbolike, për arsye se Kosova gjendet në vendin më të ulët sa i përket nivelit të zhvillimit ekonomik në Evropë dhe hyn në radhën e vendeve më të pazhvilluara të botës”.

“Prandaj, një rritje relative e GDP-së, prej 4 ose 5 për qind, nuk ngrit peshë në ngritjen e vlerës absolute të GDP-së dhe veçmas të GDP-së për një banor”,
thotë Limani.

Komisioni Evropian, duke iu referuar të dhënave nga Prishtina, ka vlerësuar se papunësia në muajt e parë të vitit 2010 është rritur dhe se aktualisht në Kosovë janë 339 mijë të papunësuar.

Sipas Abdixhikut, këto janë elemente kryesore të një situate të tensionuar sociale, si dhe eventualisht potenciale për krizë sociale.

Ai thotë se vlerësimet e tilla janë tregues i një ardhmërie ekonomike jopremtuese për Kosovën.

“Ne kemi një rritje të përgjithshme të GDP-së në vend. Pra, në një anë po krijohet vlerë, e në anën tjetër nuk po arrihet të krijohen vende të reja të punës. Kjo është mjaft shqetësuese. Kjo e lind pyetjen se mos pasuria e re që po krijohet në Kosovë, nuk po shpërndahet mirë ose po shkon në duart e një grupi të caktuar të interesit të njerëzve”.

“Pra, padyshim, çdo vlerë, e cila krijohet në Kosovë, duhet të rezultojë me krijimin e vendeve të reja të punës dhe me zvogëlimin e papunësisë. Në të kundërtën, në qoftë se ne vazhdojmë të kemi një situatë dhe nomenklaturë ekonomike të tillë çfarë e ka Kosova, krizat sociale janë potencialisht gjithmonë prezente”,
shprehet Abdixhiku.

Ndërsa, Musa Limani vlerëson se rritja e nivelit të papunësisë në Kosovë është duke u zhvilluar në mënyrë permanente që nga përfundimi i luftës. Ai thotë se shifra aktuale e të papunësuarve, e cila sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore sillet rreth 57 për qind, mund të jetë më e lartë.

“Po të kemi të dhëna të sakta mbi numrin e të punësuarve dhe të atyre që kërkojnë punë, do të ishte diku mbi 60 për qind. Prandaj, çështja e papunësisë, varfërisë dhe problemi social janë në rritje. Unë mund të konstatoj se Kosova gjendet para një situate shumë të rëndë ekonomike dhe sociale”.

“Në qoftë se shpërthen problemi social, atëherë nuk e di se kush mund ta ndalë. Besoj se nuk ka forcë. Prandaj, si problem akut i Qeverisë, unë mendoj se duhet të jetë në rend të parë çështja e zhvillimit ekonomik, zvogëlimi i varfërisë dhe zbutja e papunësisë në Kosovë
”, thekson Limani.

Lexoni edhe këto:
Efektet e remitencave
Kontestet pronësore pengojnë zhvillimin
Varësia e madhe nga importi
XS
SM
MD
LG