Ndërlidhjet

logo-print
Subjektet politike në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me aktivitetet e diplomacisë kosovare pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës.

Përderisa Qeveria vazhdon me paralajmërimet se pas këtij mendimi, Kosovës shumë shpejt do t’i vijnë njohjet e reja, opozita kritikon ekzekutivin se nuk ka strategji dhe nuk ka ditur të menaxhojë me situatën pas GJND-së, pavarësisht se vendimi ishte në favor të Kosovës.

Megjithatë, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha sot para kabinetit qeveritar se aktiviteti i tij diplomatik pas GJND-së jep shenja të qarta se njohjet do të vijnë shumë shpejt.
...nga vende të ndryshme të botës është dhënë zotimi se njohja e Kosovës shtet i pavarur e sovran, do të vijë shpejt.

“Në dhjetëra takime që kam zhvilluar me misionet e përhershme pranë OKB-së, nga vende të ndryshme të botës është dhënë zotimi se njohja e Kosovës shtet i pavarur e sovran, do të vijë shpejt. Dhe, pa përjashtim, të gjitha ato shtete janë në fazën e shqyrtimit të kërkesës së Kosovës për njohje dhe tash pas mendimit të GJND-së janë hequr të gjitha barrierat legale për ta bërë njohjen”,
tha Hyseni.

Ministri Skënder Hyseni deklaroi para Qeverisë se edhe takimi me ambasadorin e Kinës në Kombet e Bashkuara ishte shumë i frytshëm dhe, sipas tij, atë takim kësaj radhe e ka përshkruar një ton tjetërfare, krahasuar me takimet e mëparshme.

Në anën tjetër, opozita vazhdon ta kritikojë Qeverinë dhe diplomacinë kosovare për menaxhim jo të mirë të fitores në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, tha se Qeveria nuk i ka përfillur kërkesat e opozitës për një strategji pas GJND-së dhe mungesa e njohjeve pas vendimit pozitiv në Hagë, sipas tij, është pasojë e përgatitjeve jo të mira të Prishtinës zyrtare.
...zhvillimet po tregojnë se Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme, janë totalisht të papërgatitura për vendimin e GJND-së.

Qeveria, institucionet e Kosovës është dashur të kenë strategji të qartë që të përballen me vendimet e GJND-së. Tash, zhvillimet po tregojnë se Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme, janë totalisht të papërgatitura për vendimin e GJND-së. Me të vërtetë është fat që GJND-ja ka konfirmuar të drejtën tonë për vetëvendosje... A thua, po të ishte një mendim i balancuar, ku do të ishte diplomacia dhe fati i Kosovës”, u shpreh Arifi.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se mendimi i GJND-së në radhë të parë ka efekte pozitive në bazamentin e ndërtimit të shtetit të Kosovës mbi bazat e së drejtës ndërkombëtare.

Ai pret që njohjet të vijnë, edhe atë para sesioneve të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
...mendimi i GJND-së ka më shumë ndikim në bazamentin e ndërtimit të shtetit të Kosovës përballë së drejtës ndërkombëtare.

“Mendimi i GJND-së është e vërtetë se do të ketë ndikim në njohjet nga shtetet që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por mendimi i GJND-së ka më shumë ndikim në bazamentin e ndërtimit të shtetit të Kosovës përballë së drejtës ndërkombëtare. Jemi në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me shtetet, jemi edhe përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mendoj se ky proces është i pandalshëm”, tha Kuçi.

Kosovën e kanë njohur deri më tash 69 shtete. Për ditët në vijim, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ketë mbi 10 njohje të reja.

Sidoqoftë, përveç paralajmërimeve politike, nuk është konfirmuar edhe zyrtarisht se cilat janë vendet që kanë dhënë shenjat e para diplomatike se janë në proces të njohjes së Kosovës së pavarur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG