Ndërlidhjet

Filluan kërkimet për të pagjeturit në Liqenin e Peruçacit



Serbia ka filuar kërkimet në liqenin e Peruçacit për gjetjen e viktimave nga luftërat në Bosnje dhe në Kosovë.

“Ne po kërkojmë në liqenin e Peruçacit për të parë nëse ka mbetje njerëzore. Operacionet kanë nisur në bazë të dy kërkesave, një të ardhur nga Bosnja dhe një nga Kosova”, tha Velko Odaloviç, kreu i Grupit Punues të Serbisë për Personat e Pagjetur.

Liqeni për shkak të temperaturave të larta ka një rënie prej 18 metrash të nivelit të ujit, çfarë krijon mundësinë më të përshtatshme për kërkime.
“Kemi zhytës, zjarrfikës dhe policë në vendngjarje dhe përreth saj”, tha Odaloviç.

Delegacioni i Prishtinës për bisedime me Beogradin në kuadër të Grupit Punues për Persona të Pagjetur ka udhëtuar për në komunën e Bajna-Bashtës në Serbi për të marrë pjesë në hetimet shtesë që po të zhvillohen në Liqenin e Peruçacit.

Të pranishëm në vendngjarje janë dhe delegacione të grupeve punuese për të pagjeturit nga Bosnja dhe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur.

Zyrtarët kosovarë kanë kërkuar hetime në këtë vend pasi një numër personash, që janë ende të pagjetur, ishin familjarë apo bashkëfshatarë me të vrarët që janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive pranë Peruçacit, tha Odaloviç.

Gjatë luftës në Kosovës forcat serbe kanë zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë kufomat e mijëra viktimave shqiptare.
XS
SM
MD
LG