Ndërlidhjet

WSJ: "Metodat e talibanëve"


Tetë nga dhjetë punonjësit humanitarë në Afganistan, që u vranë nga talibanët.
Tetë nga dhjetë punonjësit humanitarë në Afganistan, që u vranë nga talibanët.
"Wall Street Journal"


Vrasja e 10 punonjësve humanitarë në Afganistan nxjerr në pah natyrën brutale të armikut.

Barbarizmi i ekstremistëve islamikë është bërë si të jetë një ngjarje e zakonshme, mirëpo kjo vrasje e javës së kaluar e 10 punonjësve humanitarë, përfshirë 6 amerikanë, është veçanërisht e vërejtshme si mësim për natyrën e armikut.

Mjekët, ndihmës-mjeket, si dhe teknikët ishin në ekspeditë që të ofrojnë kujdes ndaj syve në një rajon të largët të veriut të Afganistanit, atëherë kur, sipas një dëshmitari afgan, i cili ka arritur të shpëtojë, ata u rreshtuan nga njerëz me mjekra të kuqe dhe së bashku u ekzekutuan me kallashnikovë.

Grupi i udhëhequr nga një mjek amerikan, Tom Litëll, nga Delmari i Nju Jorkut, ishte duke punuar për një mision të krishterë të ndihmës ndërkombëtare, që vepronte në Afganistan nga viti 1966, por që nuk bënte ndikime për ndërrim feje.

Të dhjetë pjesëtarët e grupit ishin të paarmatosur dhe nuk e kishin pranuar ofertën që të shoqëroheshin nga një eskortë ushtarake afgane, pasi një kohë të gjatë ishin në gjendje ta bënin punën e tyre humanitare pa ndonjë incident.

Një zëdhënës i talibanëve mori përsipër vrasjet, duke thënë se grupi u zbulua me një Bibël dhe se “dënimi për spiunim është vdekja”.

Vrasjet janë një pasqyrë e rrezikut që me mijëra afganë përballen çdo ditë, nëse ata guxojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e Afganistanit.

Vrasja dhe prerja e veshit apo duarve janë taktika lufte, të dizajnuara që t’ia bëjnë më të vështirë Qeverisë të mbledhë të dhëna dhe të ofrojë shërbime për të përfituar popullatën.

Sulmet ndaj punonjësve humanitarë kanë gjithashtu për qëllim që t’i izolojnë afganët prej ndihmës perëndimore, e cila do të mund t’i përmirësonte jetët e tyre.

Në logjikën e sotme pesimiste kundër luftës, vrasësit e punonjësve humanitarë po portretizohen si shenjë e asaj se sa keq po shkon lufta.

Por, ato janë më domethënëse që të nxjerrin në pah metodën e talibanëve dhe fatin që do t’i presë aleatët afganë, nëse u lejohet islamistëve të marrin përsipër shtetin edhe njëherë.

Tom Litëll ka punuar në Afganistan me dekada dhe mënyra më e mirë që të nderohet ai dhe kolegët e tij është që kur të largohemi nga Afganistani, brutaliteti i talibanëve të mos mbizotërojë.

Qëllimi kryesor strategjik i SHBA-ve në këtë luftë është vetëmbrojtja, duke e refuzuar strehimin e Al-Kaidës. Por, arsyeja jonë gjithashtu përfshin domosdoshmërinë morale, që radikalëve islamikë t’ua parandalojmë një fitore, e cila atyre do t’ua jepte mundësinë që të shpërfytyrojnë dhe vrasin mijëra të pafajshëm. (a.h.)
XS
SM
MD
LG