Ndërlidhjet

Shpresat te punësimi sezonal


Këtë vit, punësimi sezonal thuhet se është realizuar edhe brenda vendit...
Këtë vit, punësimi sezonal thuhet se është realizuar edhe brenda vendit...
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë këtij viti ka arritur të nënshkruajë marrëveshje me shtetin gjerman për punësim sezonal të 300 studentëve kosovarë.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, krahasuar me një vit më parë, kur për shkak të krizës ekonomike globale kishte pasur ngrirje të punësimit sezonal, ky vit është shumë më i frytshëm.

Drejtori i Departamentit të Punës dhe Punësimit, Dëfrim Rifaj, thotë se me përmirësimin e ekonomisë botërore, ky lloj i punësimit ka përfshirë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve kosovarë.

“Në kuadër të Ministrisë së Punës, ne kemi edhe qendrat e aftësimit profesional, ku trajnohen punëtorët për tregun e punës, si vendor, ashtu
edhe ndërkombëtar, sipas profesioneve që kërkon tregu i punës. Ne i kemi qendrat e aftësimit, të cilat punojnë me standarde evropiane”,
deklaron Rifaj.

Marrëveshje për punësim sezonal, sipas tij, pritet të nënshkruhet edhe me Finlandën. Një gjë e tillë pritej të realizohej në vitin e kaluar, por nuk ndodhi për shkak të krizës ekonomike globale.

Trendët pozitivë të ekonomisë botërore, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës (BSPK) thonë se duhet të shfrytëzohen nga autoritetet kosovare.

Prishtinë (Foto arkivi)
Hasan Abazi, nga BSPK-ja, thotë se punësimi sezonal është mënyra më e mirë për zbutjen e papunësisë. Por, megjithatë, sipas tij, mungon angazhimi i autoriteteve kosovare.

“Për fat të keq, kjo çështje nuk ka ecur dhe u është lënë ndërmjetësuesve apo matrapazëve, që në mënyrë ilegale të bëjnë punësim sezonal. Ne kemi marrë vërejtje edhe nga shteti slloven që të krijohen rrugë legale për punësim sezonal dhe të mos lejohet që të keqpërdoret kjo formë nga njerëz të pandërgjegjshëm”, shprehet Abazi.

Autoritetet kosovare thonë se kanë filluar me punësimin sezonal edhe brenda vendit. Drejtori i Departamentit të Punës dhe Punësimit, Dëfrim Rifaj, thotë se është nënshkruar marrëveshje për punësim sezonal me kompaninë “Bechtel & Enka”, kompani kjo e cila është duke ndërtuar autostradën e Kosovës.

“Në këtë vit, përveç kësaj marrëveshjeje, kemi edhe disa punësime sezonale brenda vendit. Në këtë vit mbështetemi nga Banka Botërore dhe Komisioni Evropian”, thekson Rifaj.

Por, Hasan Abazi, nga BSPK-ja, thotë se, në bazë të informatave që posedon Sindikata, punëtorëve sezonalë brenda vendit po iu ofrohen kushte jo të mira për punë.

“Edhe ky punësim është i rëndë, është diskriminues dhe nuk kemi dëshirë të përsëritet. Nuk janë duke u mbajtur premtimet e qeveritarëve se do të punësohen rreth 400 mijë punëtorë me fillimin e punimeve të autostradës. Kushtet për punëtorët sezonalë brenda vendit, sipas informatave të BSPK-së, janë mizore”, thotë Abazi.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 335 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.

Ky numër thuhet se mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Lexoni edhe këto:
Paga e pamjaftueshme
Pa strategji për uljen e papunësisë
XS
SM
MD
LG