Ndërlidhjet

Rritet numri i viktimave ndër civilët afganë


Provinca Farah në Afganistan
Provinca Farah në Afganistan
Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se numri i civilëve të vrarë apo të lënduar në Afganistan është rritur për një të tretën në gjysmën e parë të vitit 2010. Të dhënat janë pjesë e raportit që del një herë në 6 muaj nga Misioni Civil i OKB-së në Afganistan, UNAMA.

Raporti thotë se 1,271 civilë afganë kanë vdekur dhe rreth 2,000 të tjerë janë lënduar në 6-mujorin e parë të 2010-ës. Kjo i bie 31% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Udhëheqësi i Misionit të OKB-së në Kabul, Staffan De Mistura, tha se është i shqetësuar derisa kostoja e humbjes së njerëzve në këtë konflikt “po paguhet shumë shtrenjtë nga civilët”.

“Çka do të thotë 31 për qind? Në kushte reale, në kushte të qenies njerëzore, do të thotë se 3,268 civilë afganë kanë qenë viktima të këtij konflikti, gjatë 6 muajve të fundit”, tha De Mistura në Kabul.

Sipas raportit të OKB-së, talibanët dhe grupe të tjera kryengritëse janë përgjegjëse për rreth tre të katërtat e numrit total të viktimave. Raporti vlerëson se forcat amerikane, të NATO-s apo grupeve të tjera pro qeveritare, janë përgjegjëse për 368 të vrarë apo 12% të numrit të përgjithshëm.

Në këtë aspekt, përgjegjësia e amerikanëve apo e NATO-s në vrasjen apo lëndimin e afganëve ka rënë për 30%, nëse krahasohet me vitin e kaluar.

Viktimat në fëmijë në zonat e luftës apo gjatë sulmeve ushtarake janë rritur për 55%, në krahasim me vitin e kaluar. Ky raport në fakt jep shifra më alarmante në krahasim me raportin që u publikua të dielën nga një komision afgan për të drejtat e njeriut.

Raporti i Komisionit të Pavarur Afgan për të Drejtat e Njeriut tha se numri i viktimave është rritur vetëm për 6% në krahasim me vitin e kaluar. Zëdhënësi i këtij komisioni, Nader Naderi, derisa prezantonte raportin, iu drejtua drejtpërdrejt kryengritësve:

“Komisioni iu bën apel kundërshtarëve të armatosur që t’iu përmbahen përgjegjësive të tyre fetare dhe përgjegjësive si një pjesë e përfshirë në konflikt”.

“Në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe Konventën e Gjenevës, e cila thotë se viktimat civile duhet patjetër të evitohen sa më shumë që është e mundshme, përgjegjësi ligjore e tyre mbetet mbrojtja e civilëve në zonat e luftës”,
tha Naderi.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka paralajmëruar trupat ushtarake të Perëndimit se vrasjet e civilëve vetëm sa do t’i forcojnë kryengritësit.

NATO-ja ka vendosur restrikcione të ashpra në përdorimin e forcës në zonat e luftës, ndërsa raporti i OKB-së njofton se numri i viktimave ku NATO-ja ka bërë sulme nga ajri, ka rënë për 64%.

Talibanët, në anën tjetër, kanë lëshuar një kod të sjelljes për luftëtarët, duke u bërë thirrje që t’i evitojnë vrasjet e civilëve dhe që të mos vjedhin para të personelit joushtarak.

Derisa së fundi kryengritësit janë bërë më aktivë në krahinat veriore, shumica e vrasjeve ndër civilë ndodh në jug - aty ku kryengritësit tradicionalisht janë më të fuqishëm. (a.h.)
XS
SM
MD
LG