Ndërlidhjet

Serwer: Rezoluta 1244 për Kosovën, e tejkaluar


Daniel Serwer
Daniel Serwer

“Mendoj se Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet. Procesi politik, i paraparë me 1244-shin, për vendosjen e statusit final, ka ndodhur”, thotë Daniel Serwer, nga Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara, me seli në Uashington.



RADIO EVROPA E LIRË
Tash e kemi situatën, ku, me gjithë mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, Serbia dhe aleati i saj, Rusia, ende në mënyrë të fuqishme e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Tash, Beogradi ka propozuar një rezolutë për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si e shpjegoni ju tërë këtë situatë?

DANIEL SERWER
Mendoj se Beogradi është në mohim të asaj se çka ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur është se pozicioni i Beogradit ishte i bazuar në joligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë.

Gjykata këshilloi se asgjë nuk ishte e paligjshme. Kjo me të vërtetë i shkatërroi bazat e pozicionit të Serbisë, por kjo nuk do të thotë se Serbia duhet menjëherë ta njohë Kosovën.

Kjo do të thotë se pozicioni i Serbisë, i bazuar në joligjshmërinë, ishte i gabuar. Mendoj se Beogradi është ende në mohim të asaj që ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka mund të thoni lidhur me propozim-rezolutën e re të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?

DANIEL SERWER
Nuk e kam studiuar propozim-rezolutën e Serbisë në Kombet e Bashkuara. Secila rezolutë, për të arritur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duhet të kalojë nëpër proces të negociatave.

Mendoj se pjesa tjetër e botës me të vërtetë e ka humbur shumë durimin me refuzimin e Serbisë, për gjërat që i dinë shumë mirë, por nuk mund t’i pranojnë për qëllimet e brendshme politike.

Nuk e di se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara, por mendoj se amerikanët duhet të jenë të pakënaqur me dështimin e Beogradit që ta shfrytëzojë avantazhin e mundësisë, që e ofron opinioni këshillëdhënës i GJND-së, për ta rivlerësuar pozicionin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh, ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndryshim të Rezolutës 1244. Disa analistë thonë se ky ishte gabim, pasi opinioni i GJND-së ishte se pavarësia e Kosovës nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244. Çka mendoni për këtë çështje?

DANIEL SERWER
Mendoj se Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet. Procesi politik, i paraparë me 1244-shin, për vendosjen e statusit final, ka ndodhur.

Përfundimisht, jam i sigurt se Këshilli i Sigurimit do të dëshirojë ta ndryshojë 1244-shin, ose të miratojë rezolutë të re.

Megjithatë, mendoj se ende nuk ka ardhur koha, por e kuptoj shumë mirë se përse shteti sovran nuk do të jetë plotësisht i kënaqur me Rezolutën 1244. Mendoj se Kosova është shtet sovran.

RADIO EVROPA E LIRË

Pas vendimit të GJND-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të kërkojë pavarësi të plotë, pasi, siç tha ai, pavarësia e mbikëqyrur është afër fundit. Sipas jush, a është Kosova e gatshme për pavarësi pa mbikëqyrje?

DANIEL SERWER
Pyetja nuk është se sa është e aftë, por çka është në interesin më të mirë për Kosovën dhe kosovarët. Më duket se, për momentin, është me rëndësi që riintegrimi, e veçanërisht ai i veriut, të ndodhë para se mbikëqyrja ndërkombëtare të largohet plotësisht.

Është me rëndësi të kuptohet se mbikëqyrja ndërkombëtare në një masë është ngarkesë, e ndoshta edhe e padëshirueshme për ata që dëshirojnë ta kenë shtetin e tyre.

Por, aspektet e tjera të saj janë shumë të dobishme dhe mendoj se prania ndërkombëtare duhet dhe mund të kontribuojë në riintegrimin e veriut, pasi mendoj se riintegrimi do të jetë shumë i vështirë, e ndoshta i pamundshëm pa praninë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Prishtina dhe Beogradi për të biseduar për çështje praktike. Në këto kushte, a mendoni se është e mundshme të organizohen bisedime të tilla?

DANIEL SERWER
Mendoj se po dhe kjo është e dëshirueshme. Problemi që e shoh është se pothuajse secila çështje praktike mund të konsiderohet si ngritje e çështjes së statusit.

Unë kam bërë shumë trajnime për negociata në Serbi dhe në Kosovë dhe e di se pothuajse çdo çështje, nëse doni, mund të kthehet te statusi. Por, ka ende shumë çështje sa i përket shtetësisë, ambientit, energjisë, ujit, që duhet të zgjidhen ndërmjet dy fqinjëve.

Asgjë nuk mund ta ndryshojë gjeografinë në rastin e Kosovës dhe Serbisë, sepse ato gjithmonë do të mbeten fqinje dhe duhet të mësohen se si t’i zgjidhin këto probleme.

Sinqerisht, preferoj që ato të zgjidhen me biseda direkte Beograd-Prishtinë. Shumë njerëz nuk pajtohen me mua, pasi mendojnë se kërkohet edhe prania ndërkombëtare. Por, mendoj se bisedat direkte Beograd-Prishtinë janë mënyrë e mirë për të ecur.
XS
SM
MD
LG