Ndërlidhjet

Thirrjet për ndihma në Pakistan


Pakistan
Pakistan
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihma prej qindra-miliona dollarësh, për të ndihmuar Pakistanin e goditur nga vërshimet.

Rreth 1,600 persona kanë vdekur tashmë dhe Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 14 milionë njerëz, prej tyre 6 milionë fëmijë, janë prekur nga vërshimet më të rënda në historinë e Pakistanit.

Gjithnjë sipas Kombeve të Bashkuara, 290 mijë shtëpi janë shkatërruar, duke i lënë 2 milionë njerëz të pastrehë.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Pakistan, Jean-Maurice Ripert, tha se derisa përpjekjet për ndihma dhe rindërtim vazhdojnë, do të ketë nevojë për më shumë angazhim.

“Ne e dimë se rajoni i prekur dhe niveli i shkatërrimeve janë në gjendje të atillë që do të ketë nevojë për qindra milionë dollarë për t’i adresuar kërkesat urgjente humanitare dhe miliarda dollarë do të jenë të nevojshëm për rehabilitimin dhe rindërtimin e infrastrukturës dhe shtëpive”, tha zoti Ripert.

Shtetet e Bashkuara tashmë janë zotuar për 20 milionë dollarë më shumë, deri më tash gjithsejtë 55 milionë dollarë ndihma.

Ndihma për Pakistanin
Mark Ward, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, tha se janë duke punuar bashkërisht me organizatat lokale.

“Me këto para shtesë ne do të lëvizim në jug, ashtu sikurse edhe rrëshqitjet e dheut që janë duke lëvizur në jug të vendit. Ne do t’i zgjerojmë këto aktivitete me organizatat lokale dhe ato ekzistuese, të cilat ne i kemi mbështetur, në mënyrë që aktivitetet e tyre të përqendrohen në drejtimin që vërshimet marrin”, tha zoti Ward.

Megjithëse shume vende janë zotuar për ndihma, fondet kanë arritur me ritëm të ngadalësuar deri më tash. Mbi të gjitha, shiu i vazhdueshëm dhe erërat e forta kanë bërë që helikopterët të kenë vështirësi në dorëzimin e ndihmave në rajonet e prekura.

Islamabadi është i vetëdijshëm se e ka të pamundur të përballet me shkatërrimet i vetëm dhe kjo ka nxitur shqetësimet se organizatat islamike, që kanë lidhje me talibanët apo grupet tjera militante, do të mund të ndërhyjnë.

Një zëdhënës i talibanëve pakistanezë i ka bërë thirrje qeverisë që të mos pranojë ndihmë nga Perëndimi, duke shtuar se talibanët janë në gjendje ta bëjnë këtë vetëm.

Dan Feldman, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, i angazhuar në Afganistan dhe Pakistan, tha se Uashingtoni është duke vëzhguar me kujdes se kujt është duke i dhënë para dhe me cilat organizata mund të krijojë partneritet.

“Ne kemi parë deri më tash vetëm raportime episodike mbi bamirësitë nga ana e ekstremistëve dhe deri tani nuk ka pasur arsye për shqetësim. Do të vazhdojmë të bëjmë ç’të mundemi për t’i kanalizuar fondet nëpërmjet organizatave kredibile”,
tha zoti Feldman.

Sidoqoftë, sipas të dhënave pakistaneze, numri i njerëzve të prekur është më i madh se numri i atyre që qenë goditur nga cunami në Oqeanin Indian, më 2004-ën, i atyre që ishin prekur tërmeti në Pakistan më 2005-ën dhe i shkatërrimeve që shkaktoi tërmeti në Haiti në janar të këtij viti, edhe pse numri i të vdekurve, në secilën nga këto tragjedi, ishte më i madh. (a.v.)
XS
SM
MD
LG