Ndërlidhjet

Sfidat e të rinjve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dita e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, Kosovën e gjen me shumë të rinj të papunë, pa liri të lëvizjes dhe pa perspektivë, thonë vetë të rinjtë kosovarë.

Njomza Kastrati thotë se institucionet e vendit nuk po investojnë aq sa duhet në projektet për rininë.

“Institucionet nuk po u ofrojnë të rinjve mundësi. Nga Qeveria nuk presim asgjë. Unë vetë jam artiste... Mendoj se të rinjtë duhet të marrin iniciativa dhe të jenë më kreativë”, thotë ajo.

Problemi më i madh për rininë kosovare është papunësia si dhe lëvizja jo e lirë, thotë sociologia Linda Gusia.

“Mendoj se këto të dyja ndërlidhen mes vete. Për të riun kosovar këto janë pyetje ekzistenciale, sidomos kur merret parasysh se sa e varfër është Kosova dhe sa i madh është problemi i papunësisë. Me këto vijnë edhe probleme të tjera sociale”,
deklaron Gusia.

Sipas saj, edhe të rinjtë që shkollohen jashtë vendit e kanë shumë të vështirë të depërtojnë në shoqëri.

“Edhe pse gjithë kohën lëvdohemi se jemi shoqëri e re dhe rinia është pasuria më e madhe e kombit, mendoj se nuk investohet shumë në rininë kosovare. Mendoj se lëvizja e lirë do t’ua lehtësonte jetën të rinjve kosovarë”, shprehet Gusia.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri, thotë se të drejtat e të rinjve njihen me ligj. Sipas tij, që nga mosha 16 deri në 23-vjeçare është e paraparë që të rinjtë të organizohen në mënyrë institucionale, që roli i tyre të jetë i qartë dhe të udhëheqin me politika vendimmarrëse për problemet e rinisë në përgjithësi.

“Ligji për fuqizimin e rinisë, që është aprovuar nga Parlamenti me sponsorizimin e Qeverisë, determinon të drejtat e të rinjve dhe mënyrën e fuqizimit të të drejtave në jetën publike politike dhe institucionale”, shpjegon ministri Haziri.

Ndërkaq, Raba Gjoshi, zyrtare në organizatën “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”, numëron një varg problemesh dhe sfidash, me të cilat përballet rinia kosovare.

“Problemet me të cilat përballet rinia kosovare janë të shumta, por do të veçoja disa në përcaktimin e pozitës së tyre aktuale në shoqërinë kosovare: niveli i edukimit që iu ofrohet, pastaj papunësia që është shumë e madhe, lëvizja e lirë etj.”, thotë Gjoshi.

Njëzeteshtatëvjeçari Agron Ismajli thotë se Kosova nuk ofron perspektivë. Ai nuk ka shpresë se situata e tillë do të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

“Të rinjtë kosovarë nuk kanë asnjë perspektivë. Duhet ndërruar qeveria dhe njerëzit kompetentë, për të bërë diçka ndryshe. Unë mendoj se edhe 20-30 vjet nuk do të ketë perspektivë në Kosovë”, shprehet ai.

Në Kosovë, 70 për qind e popullatës vlerësohet të jetë më e re se 37 vjeç.
XS
SM
MD
LG