Ndërlidhjet

Sa po zbatohet Marrëveshja e Ohrit?


Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, 13 gusht 2001.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, 13 gusht 2001.
Marrëveshja e Ohrit, 9 vjet pas miratimit, nuk arrin të gjejë zbatim të plotë në institucionet shtetërore, theksojnë drejtuesit e Sekretariatit për implementim të dokumentit kornizë, që solli paqen pas konfliktit të armatosur.


Abdylaqim Ademi, zëvendëskryeministër përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerëson se në saje të Marrëveshjes, shqiptarët e Maqedonisë kanë arritur të marrin hisen që u takon.

“Si progres që mund të theksohet është procesi i decentralizimit, i cili paraqet një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Është miratuar ligji i ri për komunat, përmes të cilit komunat kanë kompetenca më të mëdha”.

“Gjithashtu mund të theksohet progresi në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Nëse gjatë vitit 2000, shqiptarët ishin të përfaqësuar vetëm me tre për qind, sot ata janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore me rreth 20 për qind”,
thekson Ademi.

Por, me këtë nuk pajtohet Imer Selmani, ish-zëvendëskryeministër përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, shqiptarët punësohen formalisht në administratë, por realisht rrinë në shtëpi dhe marrin pagesë si ndihmë sociale.

“Aspekti adekuat i shqiptarëve në postet kyçe është i papërfaqësuar. Sot, nëse shohim pozicionet kryesore të shtetit, presidentin e shtetit, kryeministrin, ministrin e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, pastaj Guvernatorin e Bankës Popullore, kryetarin e Këshillit Gjyqësor si dhe shumë pozicione të tjera, thjesht nuk ka asnjë shqiptar në këto pozicione kyçe”,
thotë Selmani.

13 gusht 2001
Sipas tij, problem në vete paraqet dhe mospërdorimi në praktikë i gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

“Në jetën e përditshme, qytetarët shqiptarë, dita-ditës, ballafaqohen me pengesa nga më të ndryshmet për ta përdorur gjuhen shqipe. Edhe shenjat e komunikacionit, edhe mbishkrimet janë vetëm në gjuhën maqedonase”.

“Do të thotë, ka shumë ngecje, jo vetëm në ligjin që është shumë i dobët, por edhe vetë implementimi në praktikë i ligjit për gjuhët është më restriktiv”,
thotë Selmani.

Nga ana tjetër, Abdylhaqim Ademi pajtohet se zbatimi i ligjit has në vështirësi, por, sipas tij, trysnia e qytetarëve mund t’i azhurojë institucionet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet.

“Ndodh shpesh që qytetarët t`u drejtohen institucioneve vetëm maqedonisht ose të bëjnë një ankesë vetëm në gjuhën maqedonase, duke menduar se në këtë mënyrë do ta realizojnë më shpejt të drejtën e tyre”.

“Më duhet të theksoj se kjo nuk qëndron. Qytetarët do të duhej ta përdornin sa më shumë gjuhën shqipe në komunikim me institucionet dhe aty ku e lejon ligji”,
shprehet Ademi.

Ndërkohë, Vllado Popovski, njëri nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit, aktualisht këshilltar i kryeministrit Gruevski, vlerëson se zvarritja e zbatimit të Marrëveshjes ka të bëjë me politizimin e skajshëm të dokumentit kornizë, i cili, jo rrallëherë, nga drejtuesit e partive politike përdoret si mekanizëm për luftë politike.

“Marrëveshja e Ohrit është tejet e politizuar. Ajo u shndërrua, nëse mund të thuhet, në një instrument, jo vetëm për kritikë mes qeverisë dhe opozitës, por edhe si nxitës i fjalorit të urrejtjes nga vetë liderët e partive politike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore”, thotë Popovski.

Ish-kryeministri Vllado Buçkoski, nga radhët e Lidhjes Social-Demokrate, deklaron se politika që e drejton kryeministri Nikolla Gruevski, është ajo që e bën të vdekur Marrëveshjen e Ohrit.

“Është evidente, kryesisht katër vjetët e fundit, se VMRO-DPMNE përpiqet të promovojë një pozicion centristik, si politikë e Republikës së Maqedonisë, që nuk është aspak në harmoni me frymën e dokumentit kornizë të Ohrit”, shprehet Buçkovski.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të viti 2001 dhe implementimi i saj duhej të përfundonte që në vitin 2004.

Lexoni edhe këtë:
Marrëveshja e Ohrit qetësoi Maqedoninë, ndarja mbetet
XS
SM
MD
LG