Ndërlidhjet

logo-print

Pranimi nën torturë?!

  • RFE /RL

Rasti i Sakineh Mohammadi Ashtianit ka nxitur reagimet e botës...

Rasti i Sakineh Mohammadi Ashtianit ka nxitur reagimet e botës...

Gruaja iraniane, dënimi me vdekje i së cilës nxiti reagime në rrafshin ndërkombëtar, është paraqitur në një televizion shtetëror, duke pranuar përfshirjen e saj në vrasjen e bashkëshortit. Sakineh Mohammadi Ashtiani i ka thënë intervistuesit se ka qenë bashkautore e vrasjes dhe se ka qenë në marrëdhënie me kushëririn e bashkëshortit të saj. Avokatët e saj kanë thënë se ajo është torturuar nga autoritetet për ta pranuar fajin publikisht.


Sakineh Mohammadi Ashtiani fliste me zë të ngjirur dhe me fytyrë të mbuluar, derisa po pranonte fajin gjatë një interviste në televizionin shtetëror të Iranit.

Ajo pranoi se ka qenë e përfshirë në vrasjen e burrit të saj, duke qenë se ishte në marrëdhënie me kushëririn e tij.

Në këtë emision, edhe njëri nga prokurorët iranianë, Malek Ajdar Sherifi, tha se “të ndjerit, e shoqja i kishte dhënë një gjilpërë për ta vënë në gjumë”. Pastaj, sipas tij, kishte arritur kushëriri, duke e vënë trupin në vaskë me ujë dhe duke e vrarë atë me kabllo elektrike”.

Avokatët e gruas e hodhën poshtë vendosmërisht pranimin e fajit nga ana e saj, duke thënë se deklarata e saj është rezultat i torturës.

Njëri nga avokatët, Houtan Kian, i tha të përditshmes britanike “The Guardian” se zonja Ashtiani ka qenë e rrahur rëndë dhe e torturuar për dy ditë me radhë, në përpjekje për ta bindur që të paraqitet në televizion.

Avokati tjetër, Mohammad Mostafai, tha se programi në të cilin është paraqitur, kontrollohet nga shërbimet e zbulimit iranian. Mostafai aktualisht gjendet në Norvegji, ku edhe ka kërkuar azil politik nga frika e arrestimit.

Zonja Ashtiani, për herë të parë, i ka pranuar të gjitha akuzat për paturpësi, të cilat deri në paraqitjen e saj televizive, i ka mohuar në formë kategorike.

Një grup joqeveritar për të drejtat e njeriut, Komiteti Ndërkombëtar Kundër Dënimit me Goditje Gurësh, e ka cilësuar emisionin televiziv si “propagandë toksike”.

Ashtiani është rrahur me kamxhik 99 herë më 2006-ën, pasi një gjykatë e kishte shpallur fajtore për paturpësi. Për vrasjen e bashkëshortit, ajo është shfajësuar, ndërkaq akuza për paturpësi është rishikuar dhe i është shqiptuar dënimi me goditje me gurë deri në vdekje.

Ky rast ka kapluar vëmendjen e botës në kohën kur ekzekutimi i kësaj nëne 43-vjeçare duhej të ndodhte. Autoritetet iraniane atëherë rishikuan rastin dhe thuhet se e ndryshuan dënimin, nga goditjet me gurë në atë me varje. (a.v.)

XS
SM
MD
LG