Ndërlidhjet

Serbia - pengesë për sigurinë rajonale


Ushtarët paqeruajtës në Kosovë
Ushtarët paqeruajtës në Kosovë

Autoritetet kosovare thanë se Kosova nuk kërcënohet më nga sulme të jashtme ushtarake, por kërcënimet kryesore kanë të bëjnë me probleme të brendshme. Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme dhe kontrolli i kufijve, sipas tyre, mbesin sfidat kryesore për Kosovën, e për realizimin e të cilave thuhet se është i domosdoshëm bashkëpunimi me Serbinë. Por, ekspertët vlerësuan se Serbia vazhdon të jetë faktor destabilizues për Kosovën dhe tërë rajonin.


Përmirësimi i raporteve me Serbinë dhe integrimi i plotë i minoriteteve mbesin sfidat kryesore për Kosovën në rrugën drejt integrimit në mekanizmat evropianë dhe ndërkombëtarë, vlerësuan përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Ata e quajtën të domosdoshëm bashkëpunimin me shtetin serb për krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe për luftimin e dukurive që vazhdojnë ta kërcënojnë sigurinë e shteteve rajonale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se Kosova nuk kërcënohet nga ndonjë sulm ushtarak i jashtëm, mirëpo problemet rreth sigurisë mbesin ato të brendshme.

Bajram Rexhepi

“Lufta kundër korrupsionit, terrorizmit, kundër drogave dhe trafikimit me qenie njerëzore janë kërcënuesit kryesorë. Kontrolli kufitar i territorit të Kosovës - pikë kjo ende e ndjeshme për Kosovën, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, janë premisë për Kosovën e sigurt dhe kontribut për sigurinë rajonale dhe më gjerë”, tha Rexhepi gjatë forumit me temën “Ndarja e përgjegjësisë për sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Prishtinë.


Serbia, sipas Rexhepit, është i vetmi vend në rajon, i cili nuk bashkëpunon me Kosovën për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Bashkëpunimi fqinjësor në luftë kundër këtyre sfidave është element krucial i ofrimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Shembuj të mirë të bashkëpunimit fqinjësor janë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, e në të ardhmen presim edhe me Serbinë”,
u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq, ekspertët për çështje të sigurisë në vend thanë se qasja aktuale e Serbisë ndaj Kosovës është destabilizuese, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Eksperti Ramadan Qehaja, theksoi se Beogradi zyrtar po e mban nën kontroll pjesën veriore të Mitrovicës përmes strukturave paralele dhe shërbimit sekret serb.

Bashkëpunimi i autoriteteve serbe me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, siç u shpreh ai, është i pamjaftueshëm për t'i zgjidhur problemet e vendit në aspektin e sigurisë.
...çdo bashkëpunim me ndërmjetësues nëpërmjet dikujt tjetër, nuk është bashkëpunim dhe nuk mund të ketë sukses sikur ai të jetë i atypëratyshëm, i ndërsjellë, me mirëkuptim dhe të tjera.



“Është njëfarë bashkëpunimi ndërmjet EULEX-it, por çdo bashkëpunim me ndërmjetësues nëpërmjet dikujt tjetër, nuk është bashkëpunim dhe nuk mund të ketë sukses sikur ai të jetë i atypëratyshëm, i ndërsjellë, me mirëkuptim dhe të tjera”
, tha Qehaja.


Bashkëpunimi rajonal përmendet si një ndër kushtet kryesore për shtetet që synojnë të integrohen në Bashkimin Evropian. Në vlerësimet e deritashme të Brukselit për përmbushjen e kushteve për integrim në BE, Kosova dhe Serbia janë kritikuar për mungesë të një bashkëpunimi të tillë.
XS
SM
MD
LG