Ndërlidhjet

Pakoja e Ahtisarit nuk anashkalohet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi bindjen e tij se shtetit të Kosovës do t’i vijnë njohje të reja para sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thaçi tha para kabinetit të tij qeveritar se Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë po bashkëpunojnë në mënyrë që sesioni i radhës në Nju Jork, që mbahet në pjesën e dytë të shtatorit, të rikonfirmojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Jam i sigurt në suksesin e plotë të shtetit tonë edhe në Asamblenë e Përgjithshme, me mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Do të kemi përkrahje edhe prej vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Kemi paralajmërime edhe zyrtare për njohje të reja, madje edhe para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”,
theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi përsëriti edhe sot se faza e pavarësisë së mbikëqyrur po kalon. Ai hodhi poshtë çdo mundësi të rimodifikimit të Pakos së Ahtisarit, duke e parë atë si zgjidhjen e vetme që tashmë, sipas tij, është zbatuar mbi 90 për qind.

Ndërkohë, pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë ka kërkuar nga Qeveria sqarime në lidhje me informacionet e lëshuara nga opozita për kontaktet e fshehta të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë.

Nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri, ndonëse nuk mundi të konfirmojë nëse informacionet e tilla janë të sakta apo jo, tha se institucionet dhe Qeveria duhet t’i përmbahen Kushtetutës e ligjit dhe të jenë transparente për çdo proces dhe çdo kontakt eventual me Serbinë.
Po dëgjohet që kjo qeveri merr guximin shpesh të bëjë edhe gjëra të tilla...

“Po dëgjohet që kjo qeveri merr guximin shpesh të bëjë edhe gjëra të tilla. Flas në emër të LDD-së se askush nuk ka të drejtë të flasë për asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Kosova është një, e tërë dhe është e pavarur”, tha Gaxherri.

Akuzave të opozitës iu përgjigj zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke i cilësuar ato pjesë të konspiracionit politik.
Temat e tilla u përngjajnë balonave apo flakës së letrës që ndizet shpejt dhe shuhet shpejt...

“Ne jetojmë në një ambient ku konspiracioni dhe teoritë e konspiracionit kanë qenë pjesë e jetës, pjesë e punës. Nëse dikush mendon se duhet të ketë bisedime me dikë, duhet të ketë mandat, duhet të ketë tema e të tjera”.

“Temat e tilla u përngjajnë balonave apo flakës së letrës që ndizet shpejt dhe shuhet shpejt”,
u shpreh Kuçi.

Po sot, kryeministri Thaçi dhe zëvendësi i tij, Kuçi, i kanë përgënjeshtruar disa shkrime në mediat lokale për mundësinë e aplikimit të modelit të Tirolit Jugor për veriun e Kosovës.

Anashkalimet e Pakos së Ahtisarit, nga zyrtarët e lartë të Qeverisë janë cilësuar si të rrezikshme për prishjen e balancës së vendosur për funksionimin e shtetit të Kosovës dhe si të tilla janë hedhur poshtë.
XS
SM
MD
LG