Ndërlidhjet

Trajtimi i Alzheimerit në Kosovë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sëmundja e Alzheimerit shkakton humbje kujtese. Kjo sëmundje në Kosovë trajtohet në Qendrën Klinike Universitare, por me shumë vështirësi, për shkak të kushteve jo të lakmueshme që mbretërojnë në këtë institucion.

Doktoresha Valbona Govori, neuropsikiatër, thotë se sëmundja e Alzheimerit është në qendër të interesimit në Kosovë, ashtu si edhe në mbarë botën.

“...jo vetëm për shkak të shkallës së lartë, por edhe për shkak të hulumtimeve që bëhen për këtë sëmundje. Në klinikën tonë nuk kemi statistika se sa pacientë janë”, thotë Govori.

Sipas saj, këtë sëmundje nuk është e lehtë ta diagnostikosh. Megjithatë, shton Govori, natyra e sëmundjes është e tillë që familjarët mund të ndihmojnë në diagnostikim.

“Familjarët tregojnë se pacienti ka filluar të ndryshojë sjellje, të humbë aftësi të ndryshme, të ketë rënie intelektuale, emocionale etj. Klinika jonë nuk ka kushte të lakmueshme. Kjo sëmundje ka një fillim të ngadaltë dhe është një sëmundje progresive, e cila zgjat”,
thotë Govori.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kjo është një sëmundje që prek moshat më të shtyra. Kjo ministri, sipas zëdhënësit të saj, Faik Hoti, nuk e trajton në mënyrë të veçantë sëmundjen e Alzheimerit.

Ministria e Shëndetësisë pranon çdo vjet listën me barna esenciale. Në bazë të buxhetit, ministria angazhohet ta plotësojë atë listë. Sëmundjet e tjera trajtohen si zakonisht, duke mos e marrë si të veçantë as këtë lloj sëmundjeje të Alzheimerit”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, doktoresha Govori thotë se në mungesë të kushteve në klinikë si dhe nga natyra e sëmundjes, e cila nuk dihet se sa zgjat, këta pacientë bëhen barrë e familjes, derisa mjeku i ka duart e lidhura duke mos qenë në gjendje të ndihmojë në raste të tilla.

Sëmundja e Alzheimerit për një kohë të gjatë është konsideruar si e pashërueshme. Por, kjo shpejt mund të ndryshojë, pas zbulimeve të fundit që kanë bërë shkencëtarët në Belgjikë, të cilët pohojnë se kanë arritur të zhvillojnë një metodë të re të diagnostikimit të saktë se cilët pacientë me probleme të kujtesës, kanë më shumë mundësi të sëmuren me Alzheimer.
XS
SM
MD
LG