Ndërlidhjet

H. Klinton - Metës: Do të nxisim njohje të reja për Kosovën


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, në një letër dërguar ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar se e vlerëson thellësisht atë që Shqipëria dhe ai personalisht kanë bërë për “të ecur përpara kauzën e një Kosove të pavarur, paqësore dhe demokratike” dhe “që keni ndjekur në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme pajtimin rajonal me Serbinë”.

Mëtutje, siç njoftoi Ministria e jashtme e Shqipërisë, zonja Klinton ka shkruar se opinioni këshillimor i GJND-së, “përforcoi në mënyrë të vendosur qëndrimin tonë të hershëm se deklarata e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Mëtutje, në letrën dërguar ministrit të jashtëm, Ilir Meta, që njëherësh është edhe zëvendës kryeministër, thuhet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin ato shtete, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të ndërmarrin këtë hap, dhe do të mbështesë veprime konstruktive në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.

Sipas zonjës Klinton, opinioni i GJND-së mund të shërbej, gjithashtu, si një katalizator për Serbinë dhe Kosovën, për të lënë mënjanë diferencat dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstrutive mbi çështjet praktike, dhe për të përmirësuar jetën e popullit të Serbisë, Kosovës dher gjithë rajonit.

Në fund, të letrës, theksohet se “kjo është rruga drejt një të ardhme të përbashkët, si pjesë e një Evrope, që është e lirë, e bashkuara dhe në paqe”, njofton Ministria e jashtme e Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG