Ndërlidhjet

Marrëveshja e Ohrit: Ngecje në zbatim


Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, 13 gusht 2001.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, 13 gusht 2001.

Në Maqedoni sot shënohet nëntëvjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001 në këtë vend.

Analistët politikë vlerësojnë se ka shumë ngecje në implementimin e saj, posaçërisht në zbatimin praktik të ligjeve që burojnë nga kjo marrëveshje.

Alajdin Demiri, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se po aq sa është blloku politik maqedonas fajtor, i cili në vazhdimësi e ka injoruar jetësimin praktik të Dokumentit të Ohrit, po aq janë fajtore dhe partitë politike shqiptare.

“Shqiptarët, tërë kohën, u sollën në mënyrë servile, tërë kohën u sollën si fajtorë të situatës së krijuar dhe asnjëherë nuk patën vullnet që të këmbëngulin në realizimin e kësaj marrëveshjeje”, thotë Demiri.

Nga ana tjetër, politikologia maqedonase, Mirjana Malevska, thotë se Marrëveshja e Ohrit, e cila solli paqen në vend, përballet me sfidën e implementimit të ligjeve, të cilat burojnë nga kjo marrëveshje.

“Ka një rezistencë sa i përket implementimit në praktikë të ligjeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Bëhet fjalë për një rezistencë të autoriteteve shtetërore, e cila herë-herë është e dukshme, ndërsa disa herë bëhet në mënyrë të fshehtë. Kjo, te blloku politik maqedonas shihet si hakmarrje ndaj atyre që sollën luftën në vitin 2001”, shprehet Malevska.

13 gusht 2001
Qytetarët, për të cilët ishte e dedikuar kjo marrëveshje, thonë se nuk kanë arritur ende të ndjejnë pulsin e privilegjeve të saj.

“Nuk mund të themi se ka njëfarë avantazhi të madh, ngase disa gjëra edhe më tej mbeten të parealizuara. Shpresoj të bëhen disa hapa pozitivë për një perspektivë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”,
thotë studenti Naim Salihu.

Ai thekson se vërehet numër i shtuar i shqiptarëve në administratë, si një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, por ka vërejtje në kualitetin e shërbimeve të tyre.

“Atyre u duhet më shumë trajnim dhe mësim rreth punës së tyre dhe jo të qëndrojnë vetëm si figura kukullash në zyrat dhe ministritë e ndryshme”, thotë ai.

Ndërkaq, Muhamer Halimi thotë se viteve të fundit ka rezultuar pozitivisht funksionimi i decentralizimit të pushtetit.

“Unë tani në Komunën e Çairit, ku jetoj e punoj, jam shumë më rehat se më parë. Më parë me vinte te shtëpia policia për një çështje shumë të vogël, e sot nuk vjen. Jam shumë më rehat. Edhe nëse vjen për ndonjë dokument, unë i flas shqip, jo maqedonisht, kam të drejtën time. Shumë punë janë përmirësuar, ka disa pa u përmirësuar, por nuk bëhen përnjëherë”, thotë Halimi.

Përfaqësuesit e misioneve të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-ve në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, kanë porositur zyrtarët maqedonas se Marrëveshja e Ohrit dhe dispozitat kushtetuese relevante mbeten të domosdoshme në ndërtimin e shoqërisë së qetë, juridike dhe të bashkuar multietnike.

“Mbetemi tërësisht të përkushtuar ndaj Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe presim që të gjithë pjesëmarrësit të marrin përsipër obligim të plotë për atë që paraqet proces të vazhdueshëm dhe ta mbështesin zbatimin e Marrëveshjes edhe si tekst, por edhe frymën e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe OSBE-së në Maqedoni.

Lexoni edhe këto:
Sa po zbatohet Marrëveshja e Ohrit?
Marrëveshja e Ohrit qetësoi Maqedoninë, ndarja mbetet
XS
SM
MD
LG