Ndërlidhjet

logo-print
Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) do të sjellë rezultate pozitive nëse konsorciumi fitues do t’i përmbushë kriteret e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, thonë ekspertë të ekonomisë. Por, ka dhe nga ata që mendojnë se i tërë procesi nuk ka qenë transparent.

Analisti i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, thotë se edhe pas nënshkrimit të kontratës, nuk janë dhënë detaje se cilat mund të jenë përftimet për Kosovën.

“Procesi është përcjellë me një mungesë transparence. Kjo është reflektuar edhe dje, edhe sot... Pas shpalljes së fituesit të tenderit, nuk kanë qenë shumë të qarta detajet e kësaj kontrate. Po krijohet përshtypja se këto detaje po mbahen vetëm në qarqe të ngushta”.

“Në disa dokumente që janë bërë publike, nuk kanë sqaruar se si ka ardhur Qeveria deri te këta numra. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë se ka munguar transparenca në këtë pikëpamje”,
thotë Hashani.

Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, si i vetmi aeroport për fluturime civile në vend, sipas udhëheqësit të Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, është bërë në një kohë të papërshtatshme ekonomike, marrë parasysh krizën ekonomike globale.

“Mund të them se do të ketë investime dhe përmirësim të performancës së aeroportit, por mos të harrojmë se ANP-ja ishte duke operuar me fitim. Në vitin e kaluar ka pasur fitim neto prej 11 milionë eurosh”.

“Prandaj, kohëzgjatja e koncesionit për 20 vjet dhe investimet e premtuara prej 100 milionësh janë më pak se sa fitimi neto, të cilin ANP-ja do ta realizonte për 20 vjetët e ardhshëm”,
tha Mulaj.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për dhënien me koncesion të ANP-së.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është njëri nga aeroportet më të ngarkuara me punë në Ballkan. Vitin e kaluar, ky aeroport u ka shërbyer mbi 1.2 milion udhëtarëve.

Ndërkaq, pas dhënies me koncesion, përfaqësuesit e konsorciumit “Limak-Lion” kanë premtuar se do ta rrisin numrin e udhëtarëve në 4 milionë.

Sa u përket premtimeve të autoriteteve kosovare se kjo kontratë do të sjellë investitorë të huaj në Kosovë, eksperti i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, u shpreh skeptik për realizimin e tyre.

“Premtimet që janë bërë, se do të ketë investime të huaja pas koncesionimit, nuk do të realizohen, për një arsyeje të thjeshtë: nuk është dhënia me koncesion apo jo e aeroportit, por është mjedisi afarist ai që pengon investimet e huaja”.

“Prandaj, qeveria duhet të punojë në këtë drejtim dhe t’i eliminojë barrierat joformale”,
deklaroi Hashani.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, tha se Kosova duhet të bëjë përmirësimin e politikave fiskale.

“Për t’i tërhequr investitorët e huaj, përveç kësaj, duhen edhe lehtësime të tjera që duhet t’i ofrojë qeveria, siç janë: kushtet e volitshme politike, heqja e proceseve administrative... Gjithashtu duhet të ofrohen instrumentet joshëse të politikave fiskale”, u shpreh Limani.

Kontrata e parë e koncesionimit në Republikën e Kosovë përfshin zgjerim dhe operim për 20 vjet të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Koncesionuesi “Limak-Lion” do t’i ofrojë Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42% të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion.

Nga koncesionuesi është kërkuar të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG