Ndërlidhjet

Gjermania shënon rritje rekorde të ekonomisë


Ekonomia më e fuqishme evropiane po rikthehet. Të dhënat tregojnë se ekonomia gjermane është rritur për 2.2% në tremujorin e dytë të vitit. Ky përmirësim i ekonomisë gjermane ka ndikuar edhe në të dhënat e Eurozonës.


Gjermania ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike që prej unifikimit të territorit gjerman, 20 vjet më parë.

Rritja prej 2.2%, sipas Zyrës së Statistikave, u arrit më shumë për shkak të eksporteve dhe është shumë më e madhe se sa kishin parashikuar ekspertët.

Ky është një ndryshim i madh nga viti i kaluar, kur ekonomia gjermane, me tkurrjen prej 4.7%, paraqiste shifrën më të keqe që prej Luftës së Dytë Botërore.

Përmirësimin e ekonomisë gjermane e komentoi edhe ministri gjerman i Ekonomisë, Ranier Bryderle.

Kjo tregon se masat e qeverisë për të shpejtuar rritjen, kanë pasur sukses. Rritja nuk është një mrekulli ekonomike, por është një lloj rritjeje që po zmadhohet. Eksportet po lulëzojnë, ndërsa investimet, ngadalë por sigurt, po e marrin veten. Klima e konsumit po përmirësohet”, tha ministri Bryderle para gazetarëve.

Rritja ekonomike gjermane ndikoi edhe në të dhënat e 16 shteteve që përdorin euron, me gjithë rënien e ekonomisë greke prej 1.5%.

Të dhënat për Eurozonën tregojnë rritje të përgjithshme prej 1%, që i bie edhe rritja më e lartë prej vitit 2006.

Këto të dhëna pozitive gjithashtu konfirmojnë se ekonomia e Eurozonës është në një rrugë më të mirë sesa ekonomia amerikane.

Por, me gjithë shifrat pozitive, ekonomistët thonë se ky ritëm i rritjes mund të mos jetë i qëndrueshëm. Një vlerësim të tillë e dha edhe Ben Mej nga firma londineze për kërkime ekonomike “Capital Economics”.

Ne dyshojmë se në shumicën e rasteve, ekonomia e Eurozonës do të bazohet më shumë në eksporte të fuqishme, sesa në harxhime apo investime të fuqishme të amvisërisë. Pra, kjo më shumë rrit rrezikun që ndoshta ekonomia po funksionon më shumë me një motor. Nëse kjo do të ngecte, atëherë përmirësimi i ekonomisë mund të humbiste keq hovin e mirë që ka tani”, tha Mej.

Ekonomistët përqendrohen te rënia e prodhimit industrial, përfshirë dhe Gjermaninë si prodhuesi më i fuqishëm në Bashkimin Evropian.

Eurozona mbështetet shumë në sektorin e industrisë, përderisa konsumi i brendshëm nuk ka arritur t’iu rikthehet shifrave që kishte para krizës financiare botërore.

Përpos kësaj, shqetëson edhe fakti që qeveritë e Spanjës, Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë kanë ndërmarrë masa të ashpra, duke shkurtuar harxhimet dhe rritur taksat.

Nëse kjo çon drejt ngadalësimit të rritjes, atëherë shifrat e prezantuara të premten janë më të mirat të mundshme për ca kohë. (a.h.)
XS
SM
MD
LG