Ndërlidhjet

Obama mbështet projektin e xhamisë në Nju-Jork


Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, gjatë darkës së iftarit.

Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, gjatë darkës së iftarit.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se ai e mbështet propozimin për ndërtimin legal të xhamisë dhe qendrës kulturore myslimane afër vendit ku ndodheshin Kullat binjake, të cilat u shkatërruan në sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001. Sulmet i kryen rrëmbyesit e aeroplanëve nga grupi militant mysliman i Al-Kaidës.

Projekti është kundërshtuar nga shumë njujorkezë dhe amerikanë të tjerë, të cilët thonë se ndërtimi nuk do t’i respektojë kujtimet e më shumë se 2.700 njerëzve, të cilët e humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në Nju-Jork.

Politikanët konservatorë, si ish kandidatja republikane për nënpresident, Sarah Palin, dhe republikani Njut Gingriç, ish-folës i Dhomës së Përfaqësuesve, gjithashtu kanë bërë thirrje për tërheqjen e projektit.

Duke folur të premten në Shtëpinë e Bardhë, në një takim me diplomatë nga vendet islamike dhe anëtarë të komunitetit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Obama tha se myslimanët kanë të drejtë të njëjtë që ta praktikojnë fenë e tyre si gjithë të tjerët në Amerikë.

Kullat binjake, Nju-Jork

Obama tha se kjo e drejtë përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të vendit të adhurimit dhe qendrës së komunitetit, në pajtim me ligjet amerikane për ndërtimin e objekteve të tilla.

Presidenti shtoi se përkushtimi kushtetues i Amerikës për lirinë e religjionit duhet të jetë i “palëkundur” dhe pa përjashtim për religjione të veçanta.

“Më lejoni të jem i qartë: Si qytetar dhe si president, unë besoj se myslimanët e kanë të drejtën ta praktikojnë religjionin e tyre ashtu si çdo njeri në këtë vend”.


“Kjo përfshin të drejtën për të ndërtuar vend të adhurimit dhe qendër komunitare në pronë private në Manhatanin e ulët, në pajtim me ligjet dhe rregulloret lokale. Kjo është Amerikë, dhe përkushtimi ynë për lirinë e religjionit duhet të jetë i palëkundur”,
theksoi Obama.

Presidenti amerikan tha se liria e religjionit ka qenë ajo që ka bërë Amerikën të dallohet nga të tjerët.

“Gjatë kursit të historisë sonë, religjioni ka lulëzuar brenda kufijve tanë mu për shkak se amerikanët e kanë pasur të drejtën të adhurojnë ashtu siç kanë dashur, përfshirë të drejtën që të mos besojnë fare në religjion”.

“Është trashëgim i urtësisë së themeluesve tanë që Amerika mbetet thellësisht religjioze. Një komb, ku njerëzit me besime të ndryshme, janë në gjendje të bashkekzistojnë në paqe dhe me respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin, është në kundërshtim të plotë me konfliktin religjioz që po vazhdon gjetkë në botë”,
tha Obama.

Ai, megjithatë, shtoi se ka mirëkuptim edhe për zërat që e kundërshtojnë ndërtimin e qendrës.

Së fundmi, vëmendja është përqendruar në ndërtimin e xhamive në disa komunitete, veçanërisht në Nju-Jork. Të gjithë ne duhet ta kuptojmë respektin dhe ndjeshmërinë që përcjell ndërtim në Manhatan”.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin ngjarje tejet traumatike për vendin. Dhimbja dhe vuajtjet që e pësuan ata që humbën më të dashurit e tyre, është e paimagjinueshme. Prandaj, unë i kuptoj emocionet që kjo çështje po i ngjall”
, tha presidenti amerikan.

Qendra e propozuar myslimane, që parashihet të ngrihet dy blloqe nga vendi ku kolapsuan dy kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, pritet të ketë edhe dhomë për lutje.

Obama i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë gjatë darkës së iftarit me rastin e muajit të Ramazanit.
XS
SM
MD
LG