Ndërlidhjet

Rukiqi: Ka projekte, por pengon korrupsioni


Berat Rukiqi
Berat Rukiqi

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Rukiqi, Kosova edhe 11 vjet të pasluftës po ballafaqohet me papunësi dhe varfëri të madhe. Cilat mund të thuhet se kanë qenë arsyet e kësaj gjendjeje të papërmirësueshme ekonomik-sociale në Kosovë?

BERAT RUKIQI

Kosova pas luftës është ballafaquar me një krizë të madhe ekonomike, për shkak se ekonomia e Kosovës është shkatërruar e tëra gjatë periudhës së okupimit dhe periudhës së luftës.

Kështu, gjithçka ka filluar nga zeroja, si në aspektin e legjislacionit fizik, si në aspektin e infrastrukturës së përgjithshme, si në aspektin e të gjitha elementeve tjera që e bëjnë një shtet funksional, Kosova ka filluar nga zeroja.

Në mungesë të funksionimit të institucioneve dhe me një administratë të përzier ndërkombëtare, pastaj edhe vendore, vendimmarrja në ekonomi ka qenë një nga problemet kyçe pas periudhës së rindërtimit.

Pra, në fazën kur kemi pasur një bazë për zhvillim të ekonomisë pas një përkrahjeje të madhe të donatorëve, problemi tjetër që është paraqitur ka qenë vendimmarrja ekonomike e fokusuar në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në UNMIK, në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, shumë procese janë zvarritur për shkak të mungesës së kësaj vendimmarrjeje.

Kemi pasur një jostabilitet edhe politik, edhe ligjor. Pastaj, në fokus kanë qenë proceset madhore politike dhe realisht tërë këto kanë ndikuar që reformat në ekonomi, bërja e legjislacionit, pastaj ndërtimi i përgjithshëm, investimet mungojnë dhe kjo është një nga shkaktarët kryesorë që ne sot e kemi këtë gjendje.

Tash kur edhe është mbyllur një kapitull shumë i rëndësishëm në proceset politike, pra dhënia e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, unë mendoj që janë krijuar parakushtet që komplet fokusi i Qeverisë të jetë në zhvillimin ekonomik. Realisht edhe përmes zhvillimit ekonomik, të trajtohen problemet politike që ende e pengojnë Kosovën në rrugën e vet.

RADIO EVROPA E LIRË

Kosova thuhet se ka resurse të shumta natyrore, të cilat nuk janë shfrytëzuar aq sa duhet. Në cilët sektorë ekonomikë mendoni ju se duhet të fokusohen autoritet kosovare për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike dhe përmirësim të gjendjes aktuale ekonomike në vend?

BERAT RUKIQI

Investitorët shikojnë në dy aspekte, kur duan të investojnë: në aspektin e resurseve qoftë natyrore dhe humane dhe në favoret tjera që i ofron një vend nga aspekti i legjislacionit, nga aspekti i pozitës gjeografike, faktorëve demografikë etj.

Në raport me resurset humane dhe në raport me resurset natyrore, Kosova qëndron mirë, duke pasur parasysh që kemi një potencial të madh nga resurset natyrore dhe kemi një potencial të madh nga një rini, e cila është një forcë e madhe e punës dhe kompetitive deri në një masë.

Mirëpo, duhet fokus më i madh që kjo, forca e dytë - te komponenta e resurseve humane - të ketë më shumë programe të edukimit të fokusuara në zhvillimin e aftësive që realisht i bëjnë këta kompetitivë për tregun e punës.

Në pjesën e resurseve natyrore është e vërtetë që Kosova ka dhe shumë investitorë në Kosovë që kanë shprehur interesimin deri tani, kanë qenë të interesuar për sektorin e mineraleve të energjisë, të energjisë ujore, termo-energjisë dhe formave tjera alternative të prodhimit të energjisë, që si bazë kanë resurset natyrore.

Pastaj, normalisht edhe pjesë tjera që lidhen me industrinë minerale. Mirëpo, kjo nuk mjafton, sepse duhet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe duhet të përkrahen edhe sektorët tjerë përcjellës, sidomos një sektor që realisht ka pasur interesime, ka qenë edhe fusha e përpunimit të ushqimit, pastaj edhe fusha tjera që janë të rëndësishme, si: përpunimi i drurit, i metaleve, ku kemi edhe fuqi punëtore, mirëpo ajo që mungon është finalizimi i këtyre investimeve.

Hezitime ka pasur sidomos për shkak të jostabilitetit ligjor. Pra, ka projekte, ka programe, ka legjislacion, ka ide, mirëpo mungesa e konkretizimit të tyre, e finalizimit të tyre dhe e mosfunksionimit të gjykatave ka bërë që shumë investitorë të mos jenë të sigurt që të jenë këtu të pranishëm dhe të investojnë.

RADIO EVROPA E LIRË

Kosova vazhdimisht kritikohet nga mekanizmat ndërkombëtarë për prani të madhe të korrupsionit. Sa po e dëmton kjo dukuri zhvillimin ekonomik të vendit?

BERAT RUKIQI

Unë e përmenda sundimin ligjit, si një nga problemet që ka shkaktuar një jostabilitet ligjor dhe që është faktor kyç që shikohet nga shumica e investitorëve, si dhe rastet e korrupsionit dhe mitmarrjes, që tashmë janë evidentuar në Kosovë.

Pastaj këto raste janë të përfshira në raporte kredibile, qoftë të Bankës Botërore, të Komisionit Evropian apo të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë dhe kanë ndikuar që të krijohet një imazh negativ për Kosovën, ndërsa imazhi ka shumë rëndësi edhe në tërheqjen e investitorëve.

Kjo ka ndikuar që investitorët t’i analizojnë mirë këto raste.

Kemi pasur edhe vonesa në procesin e privatizimit apo të futjes së kapitalit privat në ndërmarrjet publike, kemi pasur në disa raste edhe mungesë transparence dhe kjo ka ndikuar që të krijohet ky imazh, i cili realisht ka ndikuar te shumë investitorë që ta shqyrtojnë mundësinë e investimit në Kosovë.

Investitorëve duhet t’u ofrohen kushte, duhet t’u eliminohet burokracia, nuk duhet të jenë subjekt i mitmarrjes. Ka pasur raste kur në shumë negociata persona të rëndësishëm kanë qenë të përfshirë në atë që njihet negocim për veten jo negocim për interesa të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se ngritja e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, e cila, do të jetë 4.8 për qind më e lartë në vitin 2010, sa është e mjaftueshme për zhvillimin e ekonomik të Kosovës?

BERAT RUKIQI

Ne krenohemi shpeshherë që kemi rritje ekonomike dhe konsiderohet që është më e larta në rajon, mirëpo nëse i shikojmë shifrat e përgjithshme, pra, sa është prodhimtaria në nivel të përgjithshëm dhe duke i krahasuar bazën e kësaj me bazën e vendeve tjera, atëherë kjo nuk është e mjaftueshme.

Në mënyrë që Kosova të ketë të themi efekte të dukshme në rritjen e standardit jetësor të qytetarëve, në eliminim të papunësisë dhe në zhvillim të përgjithshëm, ne konsiderojmë që së paku për një periudhë gati një dekadë Kosova duhet të jetë me rritje ekonomike mbi 8 për qind, apo të themi të targetojë rritjen ekonomike dyshifrore.

Me këtë nivel të rritjes ekonomike do të vërehen shumë pak përmirësime në standardin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe, normalisht, edhe në mirëqenien e përgjithshme të vendit.
XS
SM
MD
LG