Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, kundërshtojnë deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se dokumentet e vetme valide për zgjidhjen e problemit të veriut janë Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Ata thonë se njohin vetëm Rezolutën 12 44, ligjet dhe institucionet e Serbisë, por jo edhe ato të Republikës së Kosovës.


Përfaqësuesit politikë të komunitetit serb nga pjesa veriore e Kosovës ritheksojnë se do ta kundërshtojnë zbatimin e Pakos së Ahtisarit në veri.

Për dallim nga pjesa tjetër e spektrit politik serb në pjesët qendrore e lindore, përfaqësuesit në veri thonë se dokumenti i vetëm valid për ta është Rezoluta 12 44 dhe jo Pakoja e Ahtisarit apo Kushtetuta e Kosovës, dokumente në të cilat kryeministri i Kosovës thirret se do të bazohet për zgjidhjen e problemeve në veri.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri, Marko Jakshiq, thotë se kaherë ka theksuar se Plani i Ahtisarit është menduar që të zbatohet për krijimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.
Rezoluta 12 44 është arma më e fortë në duart e Serbisë dhe pengesa më e madhe në krijimin edhe të një shteti të ri shqiptar në Ballkan.


Rezoluta 12 44 është arma më e fortë në duart e Serbisë dhe pengesa më e madhe në krijimin edhe të një shteti të ri shqiptar në Ballkan”, thotë Jakshiq, duke injoruar çdo mundësi që serbët e veriut ta pranojnë një dokument tjetër, si Pakoja e Ahtisarit.

Jo vetëm institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, është i padëshiruar për serbët e veriut, përderisa, sipas tyre, ky mision zbaton Planin e Ahtisarit.

Një lider tjetër i serbëve në veriu, Milan Ivanoviq, thotë se problemet politike në veri dhe në gjithë Kosovën janë krijuar me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe sjelljet e pranisë ndërkombëtare që, sipas tij, po mundohet ta jetësojë këtë pavarësi.

Milan Ivanoviq

“Para së gjithash, mendoj në EULEX-in që sillet se ka mandat në Planin e Ahtisarit dhe injoron Rezolutën 12 44 dhe këtu qëndron problemi kryesor”, shprehet Ivanoviq.

Përderisa serbët e veriut këmbëngulin se nuk do t’i njohin institucionet e shtetit të Kosovës dhe se do të punojnë vetëm mbi bazën e ligjeve të Serbisë dhe Rezolutës 12 44, Qeveria në Prishtinë ka paralajmëruar se do të gjejë zgjidhje atraktive në veri, por vetëm mbi bazën e ligjeve të Republikës së Kosovës dhe Planit të Ahtisarit.


Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Pakoja e Ahtisarit u ofron serbëve më shumë të drejta sesa që aktualisht ka cilido minoritet në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Hajredin Kuçi


“Ne kemi menduar gjithmonë që të jemi atraktiv për qytetarët serbë atje, ndërsa imponues për ata që e shkelin rendin dhe ligjin”.


“Dhe, në këtë drejtim do të provojmë që implementimin e Pakos së presidentit Ahtisari, Kushtetutës e ligjeve ta bëjmë me atraktivitet, por në momente të caktuara edhe përmes ligjit”, deklaron Kuçi.



Anashkalimi i Pakos së Ahtisarit është kundërshtuar disa herë edhe nga opozita. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se nuk ka nevojë për zgjidhje të reja, përderisa ekziston një zgjidhje e mirë.
Përderisa ne kemi një zgjidhje dhe gjithçka është ndërtuar në mbështetje të kësaj zgjidhjeje, askush nuk duhet të pretendojë të krijojë brenda Kosovës modele të veçanta...


“Përderisa ne kemi një zgjidhje dhe gjithçka është ndërtuar në mbështetje të kësaj zgjidhjeje, askush nuk duhet të pretendojë të krijojë brenda Kosovës modele të veçanta, sepse kësisoj do të rrezikohej në radhë të parë tërësia e Kosovës dhe funksionimi i shtetit”
, thotë Makolli.

Ndër aktivitetet e para që Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare i parashohin në veri, janë decentralizimi i pushtetit, krijimi i komunës së Mitrovicës veriore dhe organizimi i zgjedhjeve lokale në këtë komunë të re dhe tri komunat veriore me shumicë serbe.

Në anën tjetër, përfaqësuesit politikë të serbëve në veri kanë paralajmëruar në disa raste se do t’i kundërshtojnë zgjedhjet dhe ngritjen e institucioneve lokale të Kosovës në atë pjesë, duke përsëritur se do t’u nënshtrohen vetëm proceseve zgjedhore që do t’i organizojë shteti i Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG