Ndërlidhjet

Daçiq: Rezoluta serbe mund të modifikohet


Beograd - Ndërtesa e qeverisë së Serbisë
Beograd - Ndërtesa e qeverisë së Serbisë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëkohësisht ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, qëndroi në Kosovë, me ç’rast vizitoi Manastirin e Graçanicës. Daçiq mbështeti zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndwrkaq, la të hapur mundësinë për modifikimin e draft-rezolutës serbe dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por tha se nuk do të lejohen ndryshime që do të nënkuptonin njohjen e pavarësisë së Kosovës.


Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, veturat zyrtare të zëvendëskryeministrit të Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, iu afruan Manastirit të Graçanicës, ku përfaqësuesi i shtetit serb u prit nga peshkopi Teodosjie dhe duartrokitjet e dhjetëra banorëve lokalë serbë.

Daçiq ritheksoi qëndrimin serb për zhvillimin e bisedimeve me palën serbe, bisedime këto të cilat, sipas tij, do t’i kontribuonin zgjidhjes së problemeve të qytetarëve serbë e shqiptarë, por edhe të çështjeve të hapura politike.
Ivica Daçiq


“Është realiteti politik. Ju e dini që Kosova dhe gjithë Serbia ishin në okupim për shumë shekuj, është ndryshuar struktura etnike e popullsisë. Shqiptarët nuk duan të jetojnë në Serbi. Serbët që jetojnë në kushte specifike, në enklava apo në veriun e Kosovës, thjesht nuk duan të jetojnë në njëfarë shteti të pavarur të Kosovës”.

Një numër i shteteve të mëdha, të zhvilluara e të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, një numër shtetesh pa pajtimin e të cilave Kosova nuk mund të jetë pjesë e OKB-së, nuk e kanë njohur. Pra, krijohet situata që bisedimet duhet të vazhdojnë për atë se si do të shkohet më tutje dhe si do të zgjidhet kjo çështje”, tha Daçiq.

Daçiq shtoi se përveç interesit të popullit serb në Kosovë, Serbia duhet të ketë parasysh edhe realitetin politik pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Draft-rezoluta kundër shtetësisë së Kosovës, të cilën Serbia e kishte deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas prezantimit të mendimit të GJND-së, sipas ministrit të Brendshëm serb mund të pësojë ndryshime eventuale në javët e ardhshme.

Megjithatë, Daçiq tha se në dokumentin në fjalë nuk do të lejohet të përmendet si fakt pavarësia e Kosovës.

“Ekziston mundësia që ne ta përmirësojmë tekstin e projektrezolutës, por nuk mund të pranojmë që në tekstin e saj, pavarësia të përmendet si fakt i kryer”, u shpreh ministri serb.

Daçiq mbështeti, po ashtu, kritikat e peshkopit Teodosje në lidhje me vendimin e misionit të NATO-s në Kosovë për kalimin e kompetencave për mbrojtjen e manastireve te Policia e Kosovës. Ai kërkoi implementimin e pjesës së rezolutës 12 44, që parasheh kthimin e forcave serbe në Kosovë- të cilat, sipas tij, do të duhej të mbikëqyrnin manastiret serbe në Kosovë.

Ndërkohë, i pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ndalon shtesat financiare për qytetarët serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, ministri serb tha se “qeveria e Serbisë duhet t'i shqyrtojë seriozisht pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai theksoi se duhet të kihet parasysh që pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kenë ndikim në gjendjen faktike në Kosovë dhe se mungesa e pushtetit të Serbisë në një pjesë të territorit të saj, e bën të diskutueshëm këtë vendim.

Vizita e Daçiqit në vend u realizua në bazë të lejes së autoriteteve kosovare, për shkak të, siç thuhet, qëllimit fetar të vizitës.
XS
SM
MD
LG