Ndërlidhjet

logo-print

A po zbatohen reformat në Universitet?


Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës


Reformat në arsimin e lartë ende nuk po gjejnë zbatim dhe niveli i arsimit në përgjithësi, sipas ekspertëve për çështje të arsimit, vlerësohet të jetë i pavolitshëm dhe në mospërputhje për integrimin në Bashkësinë Evropiane.

Mirëpo, zyrtarë nga Ministria e Arsimit thonë se janë duke vazhduar me reformimin e të gjitha niveleve arsimore, në mënyrë që të ketë një sistem të integruar arsimor në Kosovë.

Lulëzim Pllana, këshilltar i ministrit të Arsimit, thotë se institucioni që ai drejton, ka dhënë një angazhim maksimal sa i përket reformimit, apo edhe implementimit të procesit të Bolonjës.

“Ministria ka marrë si përgjegjësi cilësinë e arsimit në Kosovë duke e futur edhe akreditimin e shumë institucioneve të larta konform edhe rregullave, jo vetëm të Bolonjës, por edhe të cilësisë për nivelin evropian”,
thotë Pllana.

Në anën tjetër, Halim Hyseni, ekspert për çështje të arsimit, e vlerëson kaotike situatën, sepse mungojnë standardet në universitete, e po ashtu edhe numri i profesorëve krahasuar me studentë është shumë i vogël.

“Është një numër i vogël i mësimdhënësve në raport me studentët. 1000 studentë për një profesor dhe studenti pasi t’i përfundojë studimet nuk mund të jetë i gatshëm për tregun evropian të punës. Është shumë kaotike dhe e papranueshme kjo situatë”
, vlerëson Hyseni.


Ndërkaq, Pllana thotë se me hapjen e Universitetit të Prizrenit kjo Ministri ka marrë iniciativë që të gjithë studentët ose akademikët që kanë grada shkencore që të vijnë në Kosovë dhe studentët të marrin dituri nga ta.

Lidhur me këtë, Pllana përmend edhe disa nga strategjitë e këtij institucioni për t’i zëvendësuar profesorët.

“Digjitalizimi do të ndikojë që, nëse ka mungesë profesorësh, të jetë si një zbutje. Duhet ndryshohet strategjia e mësimdhënies me digjitalizim, dhe sallat do të shfrytëzohen edhe pasdite dhe në mbrëmje, në mënyrë që të garantojmë arsimim më kualitativ”
, shpjegon Pllana.

Por, zoti Hyseni shprehet mjaft kritik lidhur me nivelin e arsimit, duke thënë se reformat nuk po aplikohen dhe mungesa e profesorëve bën që arsimi i lartë të jetë në nivelin që është.

“Nga profesori që i mban nga 12 lëndë në një universitet, studenti nuk mund të përfitojë. Pastaj, punë kërkimore shkencore nuk ka, cilësia është e ulët, ka mungesë të literaturës e shumë gjëra tjera”
, thekson Hyseni.

Kurse, sipas Pllanës, arsimimi i lartë në Kosovë është në nivelin e duhur dhe se studentët kosovarë, pas diplomimit, janë të gatshëm për tregun ndërkombëtar.

“Studentët, mendoj që janë të gatshëm për tregun evropian, por kjo varet edhe prej strategjisë shtetërore të shtetit të caktuar. Ndoshta shteti përkatës nuk ju garanton punë, por studentët tanë do të jenë të gatshëm për tregun e huaj”
, përfundon Pllana.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG