Ndërlidhjet

Kina e tejkalon Japoninë për nga ekonomia


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Qeveria japoneze ka publikuar të hënën të dhëna që e konfirmon Kinën para Japonisë si ekonomia e dytë më e zhvilluar në botë.

Statistikat tregojnë që bruto prodhimi shoqëror i Japonisë për tremujorin e fundit ka arritur në shifrën 1.28 trilion dollarë amerikanë, përderisa ai i Kinës ishte 1.33 trilion dollarë.

Megjithatë, duhet pasur kujdes në mënyrën se si interpretohen të dhënat pasi ky ndryshim është mbështetur vetëm për periudhën prill – qershor. Nëse llogaritë bëhen duke parë ecurinë e ekonomive për gjysmën e këtij viti, atëherë Japonia vazhdon të jetë ekonomia e dytë botërore.

Sidoqoftë, askush nuk pret që Japonia të rikthejë pozitën e fituar që nga viti 1968, kur tejkaloi Gjermaninë Perëndimore dhe u bë ekonomia e dytë më e zhvilluar në botë.

Ministri i Ekonomisë së Japonisë, Satoshi Arai, duke folur para gazetarëve në Tokio, u mundua që të mos u japë shumë rëndësi të dhënave për ekonominë e vendit të tij.

"Kushdo që është në krye të listës, apo më poshtë, nuk ka rëndësi. Kjo në fakt tregon vetëm shëndetin ekonomik të çdo shteti. Zhvillimi i vendit tonë përcjell për së afërmi atë të Kinës dhe vendeve të tjera aziatike. Kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë sonë të zhvillimit"
, tha ministri Arai.

Për japonezët e rëndomtë nuk duket që ka shumë rëndësi nëse Kina e ka tejkaluar vendin e tyre si ekonomia e dytë më e madhe në botë. Këtë e pohoi një sondazh i bërë ku këtë qëndrim e mbajnë mbi gjysma e japonezëve të intervistuar.

Në Japoni ka të atillë që të jetuarit afër një superfuqie e shohin madje edhe si përparësi. Një nga ta është ekonomisti me përvojë, Hideki Matsumura, përfaqësues i Institutit të Kërkimeve në Japoni.

"Është e vërtetë që ka element negativ në faktin se teknologjia kineze po përmirësohet pasi kjo çon drejt asaj që tani kompanitë kineze bëjnë garë me ato japoneze”.

“Megjithatë, ka edhe një element shumë të madh pozitiv në rritjen ekonomike të Kinës. Tani më shumë banorë të Kinës do të blejnë prodhimet japoneze dhe kështu në përgjithësi zhvillimi ekonomik i Kinës është një gjë e mirë për Japoninë”,
theksoi ekonomisti Matsunmura.

Nëse Kina arrin të mbajë këtë trend zhvillimi të ekonomisë, atëherë sipas vlerësimeve të ekonomistëve, deri në vitin 2030, shteti komunist do t’i tejkalojë edhe SHBA-të, si ekonomia më e madhe në botë.

Megjithatë, për të arritur deri te kjo pikë, Kina ende ka shumë për të bërë, pasi SHBA-të vazhdojnë të kenë bruto prodhimin shoqëror rreth 14 trilion dollarë në vit. (a.h.)
XS
SM
MD
LG