Ndërlidhjet

Rezoluta për Kosovën do t’i ngadalësojë integrimet


Asambleja e Përgjithshme e OKB-së
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së

Zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar për pasojat negative të rezolutës së Serbisë për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.


Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë për Integrime Evropiane, Bozhidar Gjeliq, tërhoqi vërejtjen se Rezoluta për Kosovën mund ta ngadalësojë integrimin e Serbisë.

Ai tha se disa vende anëtare të BE-së kanë filluar ta lidhin procesin e integrimit evropian të Serbisë, me rezolutën për Kosovën, të cilën Beogradi e ka deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Politika e tillë, sipas nesh, është e gabuar, sepse mund të sjellë në ngadalësimin e procesit të integrimeve evropiane dhe destabilizim e të gjithë rajonit, jo vetëm të Serbisë”,
pati thënë Gjeliq.

Këshilltari në Ministrinë e Jashtme, Vatrosllav Vekariq, i tha Radios Evropa e Lirë se droja dhe paralajmërimi i Gjeliqit është plotësisht me vend.

“Fjala është se duam ne apo jo, kjo vetëm e rrit shkallën e konfrontimit me BE-në, dhe kjo absolutisht nuk është e mirë. Pasojat mund të jenë ato që thotë ministri Djeliq, dhe ndoshta më të rënda. Me fjalë tjera, deponimi i një rezolute të tillë në një mënyrë që i përngjan inatit apo konfrontimit, sigurish që nuk është e mirë”,
tha Vekariq.

Ai pohoi se autoritetet në Serbi kanë qenë të vetëdijshme për këtë edhe para paraqitjes së rezolutës.

Por, a nënkupton kjo se për autoritetet në Beograd çështja e Kosovës është më e rëndësishme se integrimet evropiane?

“Druaj se kjo linjë lë të kuptohet ky qëndrim, që gjithsesi nuk është mirë, sepse në fund mund të ndodhë ajo që paralajmërojnë shumica, që të humbet në të dyja fushat. Me këtë nuk do të arrihet shumë, do të ngadalësohen integrimet evropiane dhe do të ketë pasoja ekonomike. Duhet të dilet me një qëndrim më fleksibil, i cili nuk do t’i rrezikonte aleanca
t”, thekson Vekariq.

Pasoja të ngjashme sheh edhe Laslo Varga, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Serbisë. Ai tha se do të ketë pasoja në kuptimin e ‘luftës’ për Kosovën dhe për integrimet evropiane.

“Kur shtetet më të rëndësishme anëtare të BE-së kanë qëndrime diametralisht të kundërta nga një vend, i cili është kandidat i mundshëm, atëherë është e vështirë të mendohet se integrimet evropiane do të përshpejtohen. Do të ndodhë krejtësisht e kundërta. Nëse do të vazhdojmë me këtë rrugë, atëherë thjesht do të vihen në pikëpyetje integrimet evropiane. Madje, mund të mos ndodhin fare”
, u shpreh Varga.(v.p.)
XS
SM
MD
LG