Ndërlidhjet

Shqetësime për heqjen e shtesave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për heqjen e pagave të dyfishta për serbët e Kosovës, ngjalli pakënaqësi te komuniteti serb në Kosovë. Ata thonë se një vendim i tillë nuk i shkon për shtati politikës serbe për ruajtjen e Kosovës dhe do të ndihmojë largimin e kuadrove dhe qytetarëve të këtij komuniteti nga Kosova.


Politikanë dhe qytetarë serbë të Kosovës, shprehin pakënaqësinë e tyre me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, me të cilin atyre u hiqet paga e dyfishtë që u ndahej në kuadër të fondit shtesë për Kosovën.

Një shtesë e tillë që ishte 50 për qind e pagës, serbëve u është paguar shtatë vjet me radhë.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, thekson se me këtë vendim nuk do të ndryshohet asgjë e rëndësishme në përpjekjet e Serbisë për të vazhduar luftën për ruajtjen e Kosovës.

Po ashtu, edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, pohon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të injorohet, por nënvizon ai, nuk mund të injorohet as fakti që serbët në Kosovë jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe nuk i kanë kushtet e njëjta të punës me punëtorët në Serbi.
Oliver Ivanoviq

“Tani na përket neve që të kërkojmë një zgjidhje të re, e cila do të mundësonte që serbët të kenë paga më të mira që mund të sigurohen në kushtet e kësaj krize ekonomike dhe njëherësh të mos e shkelim Kushtetutën”, thotë Oliver Ivanoviq.

Ndërkohë, lideri i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se heqja e fondit shtesë për Kosovën ka ardhur si rrjedhojë e presioneve të Uashingtonit dhe Brukselit mbi Qeverinë e Serbisë.


“Ky vendim do të ketë si pasojë largimin e kuadrove nga Kosova, para së gjithash të mjekëve, profesorëve e kuadrove tjera, që më pas do të ketë për pasojë vazhdimin e spastrimit etnik të serbëve nga Kosova”
, shprehet Milan Ivanoviq.

Milan Ivanoviq


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundërshtohet edhe nga serbët e pjesës qendrore. Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për pjesën qendrore, thotë se ky vendim ka mesazhe negative për serbët dhe mund t’i detyrojë ata që në vend të institucioneve të Serbisë, në të ardhmen të orientohen kah ato kosovare.

“Parashoh se mund të ketë ndikim negativ ngase thënë kushtimisht, mund t’i shtyjë njerëzit që të orientohen kah institucionet e Kosovës”
, thotë Veliq.
Parashoh se mund të ketë ndikim negativ ngase thënë kushtimisht, mund t’i shtyjë njerëzit që të orientohen kah institucionet e Kosovë.


Të pakënaqur me këtë vendim janë para së gjithash qytetarët serbë, të cilët për shtatë vjet kanë pranuar shtesa nga buxheti i Serbisë.

Jelena Dimitrijeviq, një punonjëse në spitalin e Mitrovicës, thotë se për dhjetë vjet punon aty dhe përveç pagës, merrte edhe shtesa. Në këso kushtesh, kur paga e saj tani i përgjysmohet, ajo thotë se më me dëshirë do të largohej nga Kosova.

“Do të jetojmë këtu për aq sa do të mund të jetojmë. Por, tani po të më ofrojë dikush që të largohem, do ta bëja këtë dhe qysh nesër do të largohesha bashkë me fëmijët”,
thotë kjo qytetare.
...tani po të më ofrojë dikush që të largohem, do ta bëja këtë dhe qysh nesër do të largohesha bashkë me fëmijët...


Llogaritet se mbi 45 mijë punëtorë serbë të Kosovës, të cilët kryesisht ishin të angazhuar në punë nëpër shkolla, spitale e deri tek organet e administratës paralele, për shtatë vjet kanë pranuar paga dhe shtesa nga fondi i Serbisë për Kosovën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, sipas zyrtarëve serbë është bërë me qëllim të nivelizimit të pagave të punëtorëve serbë në Kosovë me ata në Serbi.
XS
SM
MD
LG