Ndërlidhjet

Lufta (jo)serioze kundër korrupsionit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e partive politike opozitare dhe ata të shoqërisë civile thonë se në Kosovës nuk kanë një seriozitet dhe angazhim të duhur për të luftuar dukuritë negative, siç është korrupsioni.

Sipas tyre, institucionet, të cilat vetë janë të korruptuara, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Anëtari i Kryesisë qendrore të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se qeverisja aktuale nuk po krijon kushte të duhura për ta luftuar korrupsionin, madje, sipas tij, kreu i ekzekutivit ka arritur ta korruptojë luftën kundër korrupsionit.

“Qeveria ekzistuese, kryeministri Thaçi, ia ka arritur që ta korruptojë luftën kundër korrupsionit”.


“Me fondet për të mbrojtur të korruptuarit, me kërkesat e tyre që të shkojë EULEX-i, sepse ka përfunduar pavarësia e mbikëqyrur, krijohet përshtypja se po krijohet një lloj dëshire që të krijohet qoftë një balancim në luftën kundër korrupsionit, qoftë një korruptim në luftën kundër korrupsionit dhe me efekte të paparashikuara për popullin e Kosovës”,
thotë Arifi.

Mirëpo, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë të kundërtën. Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës Memli Krasnqi, pas shumë vjetësh heshtjeje dhe toleromi, tashmë ka filluar seriozisht të luftohet korrupsioni në vend dhe dukuritë tjera negative.

Krasniqi pohon se hetimet e fundit që po zhvillon EULEX-i në disa ndërmarrje publike në Kosovë dhe arrestimi i disa zyrtarëve nën dyshimin për korrupsion, janë hapat e parë në drejt parandalimit të korrupsionit.

“Besoj se është e qartë për secilin observues të zhvillimeve politike e sociale në Kosovë, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës se lufta kundër korrupsionit përfundimisht ka filluar pas dhjetë vjet heshtjeje, a mbyllje sysh e tolerimi në një formë, ndaj këtij fenomeni negativ”.

“Kjo qeveri në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare ka filluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,
deklaron Krasniqi.

Krasniqi tregon se të gjitha aksionet e deritashme janë aksione të Task-Forcës Kundër Korrupsionit, mekanizëm ky që është iniciuar dhe themeluar nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, megjithatë thekson se rezultatet e para kundër korrupsionit nuk mund të shihen brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Kanë kaluar dekada kur në Kosovë ka pasur një instalim të një pushteti korruptues, një pushte i cili në një formë ose në një tjetër, e ka dëmtuar interesin publik për sa u takon aferave korruptive që kanë ndodhur”.


Normalisht që nuk është e mundur që gjithçka të çrrënjoset për një muaj, e as për një periudhë të shkurtër. Rezultatet dhe hapat e parë që janë ndërmarrë, kanë dhënë rezultatet e tyre konkrete”, shpjegon Krasniqi.

Edhe disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile deklarojnë se lufta kundër korrupsionit, ende nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret veç asaj, siç thonë ata, deklaratave politike.

Merita Mustafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni” në Institutin Demokratik të Kosovës, punën e deritashme si të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, dhe të gjithë faktorëve relevant vendorë, sa i takon luftës kundër korrupsionit e sheh me skepticizëm të madh.

“Perceptimi i publikut deri tash është se lufta kundër korrupsionit ende mbetet vetëm një luftë deklarative. Ndërsa, sipas shumë raporteve dhe sipas të dhënave nga zyrtarët ndërkombëtarë, korrupsioni bën pjesë edhe në institucionet më të larta shtetërore”.

“Vërehet se ende nuk ka një rezultat në luftën kundër korrupsionit, pra ende asnjë zyrtar i lartë nuk u dënua. Përderisa nuk ka dënime, ne nuk mund të presim se edhe do të këtë rënie të korrupsionit”,
thekson Mustafa.

Ndryshe nga 1200 raste, që aktualisht po i heton EULEX-i në Kosovë, 45 janë të ndërlidhura me raste të korrupsionit, ndërkohë që vetëm Zyra e Prokurorit të Posaçëm e këtij misioni thuhet se po heton 38 raste të dyshuara për korrupsion, në një nivel të lartë.

Nevoja për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Kosovë, është theksua disa herë edhe nga zyrtare të lartë ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG