Ndërlidhjet

logo-print
Pas autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, në të cilën janë duke u bërë punimet, autoritetet kosovare kanë filluar përgatitjet për fillimin e ndërtimit edhe të autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë.

Zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit japin pak detaje në lidhje me këtë autostradë, përveç se thonë që në shtator do të konkretizohen gjërat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit, Xhevdet Pozhari, thotë se procedurat janë drejt përfundimit dhe në muajin e ardhshëm pritet të konkretizohen specifikat e projektit, duke nënkuptuar vlerën e projektit, kohën dhe të gjitha gjërat tjera që janë të parapara në këtë projekt.

“Ditë më parë ministri Limaj e ka bërë publik edhe njërin nga projektet tjera kapitale, siç është projekti i autostradës Prishtinë – Shkup. Si projekt, është në përfundim e sipër; procedurat janë drejt përfundimit dhe pritet të konkretizohet në fillim të shtatorit”,
thotë Pozhari.

Aktualisht rruga Prishtinë - Shkup është njëra nga rrugët më të ngarkuara në Kosovë. Rruga aktuale që lidh këto dy shtete është në gjendje jo të mirë dhe mjaft e ngarkuara.

Kjo gjendje krijon vështirësi të mëdha në trafik, por me ndërtimin e autostradës, zëdhënësi i Ministris së Transportit, Pozhari, thotë se do të krijohet qarkullim më i lehtë dhe më i shpejtë.

“Kjo autostradë do të ndërtohet me koncesion. Koncesionuesi do ta ndërtojë këtë autostradë dhe do ta mbajë një kohë në shfrytëzim, ndërkohë përmes këtij varianti, ne do të mbrojmë paranë publike dhe gjithashtu do të fitojmë një korridor, i cili do të sjellë një zhvillim të ardhshëm ekonomik”,
shpjegon Pozhari.

Pozhari gjithashtu bën të ditur se ka mjaft investitorë, të cilët janë interesuar për këtë projekt kapital.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë theksojnë se ndërtimi i autostradës Kosovë – Maqedoni nuk fut në funksion vetëm këto dy shtete, por tërë rajonin.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Alban Zogaj, idenë e sheh si shumë të qëlluar dhe të arsyeshme ekonomikisht.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për rajonin. Është një lidhje shumë e rëndësishme me Maqedoninë, duke pasur parasysh qarkullimin e kësaj rruge. Ne e dimë që edhe sot Kosova ka lidhje shumë të shpeshta dhe shumë të mira me Maqedoninë, pastaj kjo do të krijojë lidhje edhe me Greqinë”,
vlerëson Zogaj.

Ideja që autostrada të ndërtohet me koncesion, Zogaj thotë se është e pranueshme dhe e lehtë për të realizuar. Ndërkaq, sa i përket investitorëve të huaj të interesuar në këtë projekt, Zogaj shprehet:

“Projekti ka një rëndësi të veçantë dhe konsideroj se do të ketë interesim prej investitorëve të jashtëm që do të investojnë në këtë projekt, sepse ata do ta shikojnë a do të ketë kthim të mirë nga ky investim dhe kthimi nga ky investim është qarkullimi i mjeteve, veturave transportuese etj”.


Ndryshe, autostrada Prishtinë - Shkup vlerësohet si projekt që do të mundësojë rritjen dhe lehtësimin e shkëmbimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG