Ndërlidhjet

The Guardian: Vazhdon lufta për drejtësi në Bosnjë


Gjatë varrimit të dhjetëra burrave në Bratunac, Bosnjë
Gjatë varrimit të dhjetëra burrave në Bratunac, Bosnjë

"The Guardian"


Në pjesën veri-lindore të Bosnjës, në kufirin me Serbinë, gjendet liqeni i vogël i Peruçacit, i cili ishte formuar në vitet ‘60, kur në lumin Drina janë ngritur penda për ndërtimin e hidrocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, në drejtim të rrjedhjes së lumit Drina, gjendet qyteti Vishegrad, që para viteve ‘90, ishte i njohur për urën Otomane të shekullit XVI.

Por, prej atëherë, megjithatë, ai është bërë i njohur edhe për një ngjarje të tmerrshme, pasi në të është bërë mizoria e dytë më e madhe në Bosnjë pas Srebrenicës.

Tre mijë myslimanë boshnjakë janë vrarë atje në pranverë të vitit 1992; jo në mënyrë të organizuar, siç ishte bërë në Srebrencië, por vrasjet ishin kryer gjatë disa javëve dhe muajve. Me këtë rast ishin vrarë pothuajse për sport nga policia dhe nga ushtria.

Trupat e tyre ishin hedhur nga ura e njohur dhe nga valët e lumit Drina, ata kishin arritur në Peruçac.

Duke pasur parasysh reputacionin e qytetit, atëherë, zbulimi i edhe 50 trupave të pajetë muajin e kaluar, që janë gjetur nga hetuesit, vjen si një befasi e vogël.

Befasi, së paku për shumë jashtë Bosnjës, ishte mësimi se sa e vështirë ishte puna e hetuesve.

Në secilin nivel, hetimet kishin hasur me rezistencë.

Të shmangur nga banorët lokalë, tashmë në qytetin krejtësisht serb, një mur i heshtjes bëhet edhe për hetimet më të thjeshta dhe ndonjëherë pranimi është haptas armiqësor. Para dy javësh, një sulmues i panjohur e ka qëlluar anijen e ekipit të mjekoligjorëve. Askush nuk ishte lënduar, por mesazhi ishte i qartë: kujdes se çka po bëni!

Kërcënimet e fshehta dhe jo të fshehta janë vetëm pjesë e një kulture të heshtjes, që ishte pengesa më e madhe në përpjekjet e Bosnjës për drejtësi.

Një rrjet nën hije i figurave qeveritare dhe ish-qeveritare, pastaj i policisë dhe i krimit të organizuar, i ashtuquajtur Preventiva, i mbron ata që janë përgjegjës për disa nga krimet më të mëdha në luftën e viteve 1992-95, dhe i heshtin ata që kërcënohen se do të flasin.

Duke qenë përgjegjëse për mbrojtjen e ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, derisa ai fshihej, rrjeti Preventiva ishte i suksesshëm në shkatërrimin e procedurave juridike, edhe kur subjektet e tyre janë zënë.

Dëshmimi më së shumti dekurajohet; dëshmitarët frikësohen ose edhe më keq. Pavarësisht se a bëhet nëpërmjet të frikës apo lojalitetit, shumë pak njerëz në Vishegrad, do të flasin. Ata që flasin shpeshherë heshten.

Në vitin 2005, ish-inspektori Policisë në Vishegrad, Millan Josipoviq, dëshmoi në procesin gjyqësor të Novak Rajakut, anëtar i forcës policore në Vishegrad, i cili kishte marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve boshnjakë. Por, vetë dëshmia ishte e mjaftueshme që të zemërohej Preventiva.

Kur u paraqitën thashethemet se Josipoviq do të ishte i gatshëm për të dëshmuar në gjykimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, situata u bë urgjente. Josipoviq u sulmua dhe u vra, ndërsa sulmuesit e tij, nuk janë zënë kurrë.

Por, mendohet se e ardhmja nuk është pa shpresë. Hetuesit vazhdojnë të gjejnë prova materiale dhe janë paraqitur çarje në rrjetin Preventiva dhe anëtarësinë e tij.

Një armiqësi e brendshme mendohet se ka çuar në arrestimin e Millan Llukiqit, anëtar i Preventivës dhe ish-lideri i organizatës paramilitare, Shqiponjat e Bardha, që ishte përgjegjëse për disa nga krimet më të këqija në Vishegrad. Vitin e kaluar ai ishte dënuar nga Tribunali për Krime të Luftës në Hagë me burgim të përjetshëm.

Mbetet të shihet nëse velloja e fshehtësisë do të bjerë krejtësisht. Nëse Bosnja do t’i sjellë para drejtësisë ata që ia përgjakën të kaluarën, atëherë me siguri se kjo do të ndodhë. (f.b.)
XS
SM
MD
LG